I dënuari për vrasje humb betejën në Skoci, ekstradohet në Shqipëri
Fatjon Kapri, 34 vjeçari i dënuar me 22 vjet burg në mungesë nga Gjykata e Elbasanit, si autor i vrasjes së shqiptarit, Ylli Pepa në vitin 2001 ne Londer humb betejën e tij ligjore për të shmangur ekstradimin në Shqipëri.Vendimi është marrë nga Gjykata e Apelit në Skoci, e cila ka vendosur që Kapri të ekstradohet, duke hedhur kështu poshtë pretendimet se çdo rishikim i çështjes do të ishte i padrejtë.Emri i Kaprit është lakuar shumë në mediat britanike për shkak të luftës së tij për mos ekstradimin në Shqipëri. Sipas gjyqtarëve britanikë, ekzistonte mundësia që Kaprit t’i shkelen të drejtat e njeriut në gjykimin e tij në Shqipëri.Fatjon Kapri u arrestua pas 9 vjetësh arrati, gjashtë nga të cilat në Londër dhe tre në Skoci,duke punuar në një dyqan në Glasgoë.Lidhur me këtë vendim ka reaguar përmes një komunikate edhe KLD, që e cilëson një fitore për ruajtjen e imazhit të sistemit shqiptar të drejtësisë.Deklarata e plotë e KLD-së:Gjykata e Lartë në Skoci (High Court of Justiciary) ka dhënë vendimin sot për rrëzimin e apelit të shtetasit shqiptar F.K ndaj kërkesës së shtetit shqiptar për ekstradimin e tij në Shqipëri për ekzekutimin e një vendimi gjyqësor penal me burgim të formës së prerë të dhënë nga gjykatat shqiptare. Duke rrëzuar këtë apel, Gjykata Skoceze arsyeton se:“Nuk vihet në diskutim se ka patur përmirësime substanciale në luftën kundër korrupsioni, ku dallohen heqja e imunitetit në 2012, veprimtaria e Shkollës së Magjistraturës, forcimi i sistemit të vlerësimit të gjyqtarëve, rritja efektive e procedimeve disiplinore, përmirësimi i infrastrukturës gjyqësore, trajnimi i vazhdueshëm i gjyqtarëve, rritja e transparencës në emërimet në gjyqësor dhe rritja e pagave dhe e sigurisë në gjyqësor.Nuk ka baza provuese të përshtatshme për konkluzionin që korrupsioni është në nivel sistematik apo sistemik që të mbështesin shkaqe substanciale për të besuar një person që ekstradohet në Shqipëri mund të rrezikojë të vuajë nga një mohim flagrant i të drejtës së tij për një proces të drejtë gjyqësor. Nga ana tjetër, ka prova të qarta dhe bindëse, të cilat gjykata i pranon, se ky apelues i veçantë do të ketë një gjykim të drejtë me kthimin e tij në Shqipëri”.Ky vendim, në opinionin e KLD-së, është i një rëndësie të veçantë për disa arsye.“Së pari, rasti në fjalë tërhoqi verën e shkuar vëmendjen e gjerë të mediave dhe të opinionit publik për shkak të pretendimeve të apeluesit, drejtuar sistemit të drejtësisë britanike mbi korrupsionin endemik dhe sistematik në sistemin shqiptar të drejtësisë, që do t’i pengonin atij të drejtën themelore për proces të rregullt ligjor në Shqipëri. Këto pretendime verën e shkuar në ndonjë rast edhe u keqpërdorën në me dashakeqësi, duke shtuar në mënyrë të pamerituar, numrin e kritikave edhe ndaj pjesës së shëndoshë të sistemit gjyqësor shqiptar. Këto pretendime të apeluesit u morën në shqyrtim nga gjykatat britanike dhe për këtë arsye, ato urdhëruan verifikimin e vërtetësisë së këtyre pretendimeve. Në këtë mënyrë, çështja konkrete e gjykuar nga sistemi gjyqësor britanik mori një dimension delikat imazhin e të gjithë sistemit shqiptar të drejtësisë, si dhe të vetë Republikës së Shqipërisë në arenën ndërkombëtare. Së dyti, çështja në fjalë mbart një vlerë të shtuar në kontekstin e marrdhënieve juridiksionale penale me Mbretërinë e Bashkuar, pasi për shkak të sistemit ligjor të saj, ai përbën një precedent gjyqësor për rastet e tjera në vijim me të njëjtën natyrë”thekson KLD në një komunikatë për mediat.Në përfundimin me sukses të kësaj çështjeje, në ruajtjen e imazhit të sistemit shqiptar të drejtësisë, në krijimin e besimit me partnerët ndërkombëtarë dhe në promovimin e përpjekjeve të vijueshme të të gjitha autoriteteve shqiptare, KLD thekson se ka ofruar pa anjë mëdyshje kontributin e vet të drejtpërdrejtë në paraqitjen e provave dokumentare dhe me dëshmitarë, duke iu përgjigjur me përkushtim dhe pa asnjë vonesë, kërkesave të autoriteteve britanike.Vlera e këtij vendimi për KLD qëndron në faktin se një gjykatë e një vendi të zhvilluar të BE-së dhe me një traditë ligjore të admirueshme, jep një vlerësim real dhe të paanshëm për zhvillimet dhe përpjekjet e shtetit shqiptar në konsolidimin e sistemit të drejtësisë dhe në veçanti, në luftën kundër korrupsionit.“Dhënia e këtij vendimi shërben si një motiv për të vijuar përpjekjet në mënyrë të qëndrueshme për konsolidimin e sistemit të drejtësisë, për rritjen e integritetit të sistemit të drejtësisë dhe për rritjen e besimit publik tek sistemi i drejtësisë. KLD inkurajon pjesën e shëndoshë të sistemit të drejtësisë, duke theksuar se përpjekjet e tyre të përditshme dhe me përkushtim, janë ato që do të japin rezultatet e duhura, që edhe i gjithë opinioni publik prêt”.