Integrimi, Gjosha: S’ka rëndësi data, të transformojmë Shqipërinë
Ministrja e Integrimit Evropian, Klajda Gjosha, zhvilloi sot një takim me nxënësit e Shkollës së Mesme “Aleksandër Moisiu”, në Kavajë. Aktiviteti u zhvillua në kuadër të turit informues për gjithpërfshirjen e të rinjve në procesin e integrimit. I iniciuar nga Ministrja Gjosha, ky tur takimesh është shtirë një pjesën më të madhe të qyteteve të vendit.Takimet me studentë dhe nxënës janë zhvilluar në formën e bashkëbisedimeve interaktive, ku është diskutuar për sfidat e Shqipërisë në lidhje me integrimin, rolin e rinisë në avancimin e axhendës evropiane të vendit si dhe përpjekjet që po bën qeveria për reformat e domosdoshme për zhvillimin e vendit.“Duhet të mendojmë për të ardhmen e brezave të rinj. Ju jeni forca që gjeneron progresin, por më lejoni të theksoj se pa dije nuk ka integrim. Është e domosdoshme të integrohemi brenda nesh, duke i dhënë mundësinë Shqipërisë të transformohet brenda vetes. Ju, rinia shqiptare jeni vazhdimësia e këtij procesi mjaft të rëndësishëm, ndaj duhet të jeni pjesë aktive e tij”, tha Ministrja Gjosha, gjatë takimit.Duke iu përgjigjur interesimit të nxënësve për statusin e vendit kandidat, vendimi për të cilin pritet të merret ne qershor, Ministrja e Integrimit theksoi se statusi është vetëm një hap tjetër në këtë proces. Ministrja nënvizoi se datat nuk janë të rëndësishme, vlerën kryesore në gjithë këtë rrugëtim e ka progresi dhe zhvillimi i Shqipërisë.“Qeveria shqiptare është e angazhuar të përmbushë të gjitha detyrimet dhe reformat që i duhen vendit, i duhen shqiptarëve, na duhen ne të gjithëve për të jetuar në një vend më të sigurt. Procesi i integrimit është një sfidë që duhet të na përfshijë të gjithëve”, deklaroi Gjosha.Ministrja vuri theksin gjithashtu tek arsimimi cilësor, i cili është një kusht thelbësor për të ardhmen e vendit.“Këshilla që unë do t’ju jepja sot është : Të jeni të vëmendshëm për të bërë zgjedhjen më të mirë të mundshme për sa i përket arsimimit tuaj. Ju jeni në prag të hedhjes së një hapi shumë të rëndësishëm siç është shkolla e lartë, ndaj investoni kohën tuaj për të marrë sa më shumë dije”, tha Ministrja GjoshaNë auditorin më rreth 350 e nxënës, Ministrja shoqërohej edhe nga deputetja e LSI-së, Kejdi Mehmetaj e cila përcolli mesazhin se të rinjtë shqiptare duhet të bëjnë maksimumin për të qenë pjesë e procesit të integrimit, duke dhënë kontributin e tyre. Ky proces sipas saj, do të ofrojë për ta më shumë mundësi për një arsimim më cilësor dhe për një jetë më të mirë.Drejtoresha e gjimnazit “Aleksandër Moisiu”, Rovena Xheka falënderoi Ministren Gjosha që përzgjodhi Kavajë për të ndarë më të rinjtë çështjet e integrimit, duke e cilësuar këtë takim me mjaft vlerë, sidomos në këtë moment të rëndësishëm në të cilin ndodhet Shqipëria.