"Ukraina", “Standard and Poors” zhvlerëson Rusinë

Agjencia prestigjioze e kreditit “Standard and Poors” ka zhvlerësuar borxhin sovran të ekonomisë ruse në shkallën më të ulët të mundshme. Përveç kësaj, ekspertë të kësaj agjencie shtuan se tregues të tjerë mund të reduktohen gjatë muajve në vijim, në rast se rritja ekonomike e Rusisë vazhdon të përkeqësohet.Për më tepër analistët janë shprehur se situata e tensionuar në Ukrainë dhe mundësia e përshkallëzimit të sanksioneve nga perëndimi janë një tjetër arsye për zhvlerësimin e mëtejshëm të treguesve ekonomikë.Gjatë një deklarate të vetëm pak orëve më parë, agjencia “Standard and Poors” konfirmoi se ka reduktuar vlerësimin për Rusinë në BBB-. Zhvlerësimi i fundit që kjo agjenci i ka bërë Rusisë daton në vitin 2008 dhe menjëherë pas kësaj monedha dhe bonot ruse pësuan rënie të konsiderueshme.Gjatë deklaratës së saj, “Standard and Poors” theksoi se tensioni gjeopolitik midis Rusisë dhe Ukrainës mund të shkaktojë dalje masive të kapitalit nga të dy këto vende, e për pasojë të dobësojë akoma më tej rritjen e brishtë ekonomike.Zyrtarë të lartë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe disa prej aleatëve të tyre kanë paralajmëruar presidentin Putin se kanë gati sanksione shtesë në rast se Rusia nuk ul tensionet me fqinjët e saj ukrainas. Vlen të theksohet se edhe gjatë muajit të kaluar, Rusia u vu në fokusin e agjencive të tjera të vlerësimit të kreditit si Moody's dhe Fitch, për shkak të situatës së vështirë ekonomike që po përjeton.