Çefa vizitë dyditore në Kosovë, takohet Kryesuesin e Këshillit Gjyqësor
Një delegacion i nivelit të lartë nga Këshilli i Lartë të Drejtësisë, po zhvillon një vizitë zyrtare dy ditore në Kosovë. Vizita e delegacionit nga Shqipëria ka për qëllim thellimin e bashkëpunimit të ndërsjellë me institucionet e Kosovës e në veçanti të sistemit gjyqësor, shkëmbimin e përvojave dhe forcimin e sundimit të ligjit në të dyja vendet.Delegacioni shqiptar i kryesuar nga Zëvendëskryetari i këtij Këshilli, Elvis Çefa u prit në një takim miqësor nga Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Enver Peci.Gjatë takimit Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Peci e njohu Zëvendëskryetarin Çefa dhe anëtarët e KLDSH-së lidhur me organizimin, funksionimin dhe kompetencat e Këshillit përbërjen dhe mënyrën e përzgjedhjes së anëtarëve të KGjK-së. Gjithashtu, në fokusin e bisedime vend të veçantë zuri edhe tema e mënyrës së vlerësimit të punës së gjyqtarëve dhe promovimi i tyre.Peci, foli edhe për Kodin e Etikës dhe Procedurat disiplinore për gjyqtarët dhe anëtarët e Këshillit si dhe një varg temash të tjera që kanë rëndësi të veçantë për sistemin gjyqësorë.Përveç sfidave, Peci i njohu KLDSH edhe për të arriturat dhe projektet e reja që ka planifikuar KGjK-ja për vitet e ardhshme. Prioritet për KGjK-në, mbetet një sistem i drejtësisë i unifikuar, si dhe sistemin unik të drejtësisë në tërë Republikën e Kosovës, por përkundër sfidave kemi arritur edhe progres, përfundoi Peci.Edhe Zëvendëskryetari i KLDSH, Elvis Çefa, njoftoi Kryesuesin e KGjK z. Pecin dhe anëtarët e tjerë të Këshillit lidhur me punën e KLDSH, sfidat dhe të arriturat.Çefa me theks të veçantë foli për rëndësinë e këtij bashkëpunimi duke shprehur gatishmërinë e mëtejmë të thellimit të këtij bashkëpunimi me qëllim të tejkalimit të sfidave të të dyja shteteve.Në fund të dy përfaqësuesit e Këshillave (KGjK – KLDSH) e vlerësuan lartë takimin dhe shkëmbimin e përvojave, duke e inkurajuar njëra – tjetrën për mbështetjen e vazhdueshme që synojnë ta kenë në të ardhmen në fushën e drejtësisë në institucionet ku ata udhëheqin, gjithashtu, një legjislacion i përbashkët do të ishte i preferuar për të dyja shtetet (Kosovë – Shqipëri), me qëllim kombëtar dhe regjional.Përfaqësuesit e Këshillit të Lartë të Drejtësisë së Shqipërisë në ditën e dytë të vizitës së tyre në Kosovë do të kenë takime edhe me përfaqësuesit e institucioneve tjera që lidhen me sistemin gjyqësor me qëllim të shkëmbimit të përvojave.