Xhindi: Komuniteti rom në qendër të vëmendjes së Bashkisë Tiranë
Bashkia e Tiranës ka kthyer për herë të parë në vëmendje të saj komunitetin rom. Në Bashkinë e Tiranës prej më shumë se dy vjetësh ekziston një zyre anti-diskriminimi e drejtuar nga përfaqësues të këtij komuniteti, sikundër dhe në komisionin e strehimit janë përfshirë anëtarë nga komuniteti romë.Por, sipas nënkryetares së Bashkisë, Nevila Xhindi, e pranishme në një aktivitet të organizuar nga njësia bashkiake numër 4 në Ditën Ndërkombëtare të Romëve vëmendja është përqendruar tek krijimi i kushteve për arsimin e tyre.“Ky 10 vjeçar, është 10 vjeçari juaj, edhe Shqipëria është e angazhuar që të bëjë gjëra shumë të mira për punësimin, për shëndetësinë, për arsimimin tuaj, në mënyrë që të ruhet kultura që ju trashëgoni.Ne si Bashki kemi bërë një plan të tërë masash në arsim, punësim, shëndetësi dhe strehim, si dhe në dy fusha prioritare kombëtare; përfshirja sociale dhe mundësitë e barabarta si dhe trashëgimia kulturore, dhe është një dokument që synon integrimin e minoritet romë dhe komunitetit egjiptian në jetën social-ekonomike të qytetit.Po ashtu ne duam që të ketë sa më shumë fëmijë romë në çerdhe, në kopshte dhe për këtë Bashkia e Tiranës ka menduar që t’i lehtësojë familjet tuaja duke paguar më pak, ose sipas rastit duke mos paguar fare, ka shumë rëndësi që ju të shkoni në shkollë. Komuniteti romë, për Bashkinë e Tiranës është një nga prioritet e saj dhe ajo është pranë jush jo vetëm në ditë festash por gjatë gjithë vitit”- tha Xhindi.
Ndërsa kryetari i njësisë bashkiake nr.4, Hysen Xhura, tha se që prej 2011 bashkëpunimi i kësaj njësie me shoqatën e romëve u ka dhënë zgjidhje shumë problematikave për sa i përket komunitetit rom dhe egjiptian.“Bashkia Tiranë në bashkëpunim me njësinë nr.4 kanë dhuruar sot disa abetare rome dhe dhurata me veshmbathje për fëmijët e kësaj qendre. Njësia bashkiake nr.4 në bashkëpunim me ju si shoqatë që nga viti 2011 e këtej bashkëpunon ngushtë dhe ka qenë një bashkëpunim shumë i suksesshëm dhe i frytshëm. Ne i kemi dhënë zgjidhje shumë problematikave për sa i përket komunitetit romë dhe egjiptian. Në vijim të kësaj, këtë javë ne do të kemi edhe aktivitet të tjera në të gjitha këto hapësira sportive që janë ndërtuar gjatë vitit të kaluar dhe këtij viti që janë në proces”-u shpreh Xhura.Ndërsa, Sonila Masati, koordinatore e shoqatës, u shpreh:“Në emër të fëmijëve ju falënderoj që erdhët dhe na kujtuat në këtë ditë. Ju falënderoj për këtë dhuratë që për ne vërtetë është e çmuar dhe e vlerësojmë shumë. Fëmijët, do të kenë mundësi që nga mësuesit të mësojnë, sepse shumica e fëmijëve romë e dinë gjuhën rome, por nuk dinë të shkruajnë, kështu që do të kenë mundësi ta mësojnë që sot e tutje edhe si ta shkruajnë gjuhën e tyre”.