Gjosha takon Tragakis: Mbështesim Shqipërinë për të avancuar drejt BE

Greqia rikonfirmon mbështetjen për procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.  Ministrja e Integrimit Evropian, Klajda Gjosha është takuar sot në Athinë me Zv. Kryetarin e Parë të Parlamentit  Ioannis Tragakis, i cili ka theksuar se Greqia mbështet Shqipërinë për të avancuar në rrugën e saj të integrimit në Bashkimin Europian.Ministrja Gjosha, vlerësoi  rolin e Greqisë  në  stabilitetin e rajonit dhe theksoi se Shqipëria e sheh Greqinë si një partner  shumë të rëndësishëm.“Vlerësojmë mbështetjen e vazhdueshme që Greqia i ka dhënë Shqipërisë, si për integrimin euro-atlantik, por edhe për zhvillimin ekonomik të vendit tonë, pasi janë me qindra mijëra shqiptarët që jetojnë dhe punojnë këtu. Ne vizionin e qeverisë së re, intensifikimi i dialogut i cili është reflektuar edhe me  shkëmbimin e vizitave  të muajve të fundit, tregon për një klimë edhe më miqësore  e pozitive mes dy shteteve tona, duke i dhënë një dimension të ri këtij bashkëpunimi”, u shpreh ministrja gjatë takimit.Ndërsa Ionannis Tragakis, nga ana e tij theksoi se Greqia mbështet politikën e zgjerimit të Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor. “Mbështesim integrimin e Shqipërisë në BE dhe  jemi shumë të kënaqur me shkëmbimin e vizitave dhe më këtë dimension të ri të marrëdhënieve dypalëshe të vendosur muajt e fundit”, tha Tragakis.Ministrja Gjosha theksoi se për Shqipërinë është prioritet kombëtar procesi i integrimit në BE dhe nënvizoi rëndësinë që ka fakti se pikërisht në këtë  moment Presidenca e Unionit mbahet pikërisht nga Greqia.“Mendojmë se nëse Shqipëria bëhet pjesë e Bashkimit Evropian edhe marrëdhëniet dypalëshe  zgjidhen dhe forcohen më mirë. Grupet  e miqësisë të krijuara në Kuvend, duket se po i japin një shtysë tjetër bashkëpunimit mes vendeve tona”, tha Ministrja Gjosha.Bashkëbiseduesit theksuan rëndësinë e projekteve TAP dhe Adriatik-Jonian  si dhe vlerësuan si me mjaft vlerë që Shqipëria dhe Greqia të zgjerojnë bashkëpunimin  në fusha të tilla si : energjia, turizmi, mjedisi etj.Gjosha, Kourkoulas: Presim një vendim pozitiv për Shqipërinë në qershorMinistrja e Integrimit Evropian, Klajda Gjosha gjatë vizitës zyrtare në Athinë, zhvilloi një takim me Zv. Ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë, Dimitris Kourkoulas.Proceset integruese të gjithë rajonit ishin fokusi i këtij takimi, ku u shpreh optimizmi për një vendim pozitiv në lidhje me Shqipërinë për marrjen e statusit të vendit kandidat në qershor.“Jemi duke punuar për 5 prioritet që kemi për hapjen e negociatave. Procesi i integrimit është i rëndësishëm për zhvillimin e vendit dhe statusi është vetëm një hap më tej në këtë proces. Për sa i përket vendimit të qershorit, jemi duke punuar edhe në nivele dypalëshe duke shkëmbyer vizita të ndryshme në vendet e BE, por edhe ato fqinje”, u shpreh Ministrja Gjosha gjatë takimit.Zv. Ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, Dimitris Kourkoulas, nënvizoi rëndësinë e stabilitetit në rajon, duke vlerësuar rolin e Shqipërisë.“Procesi i integrimit të Shqipërisë dhe marrja e statusit të vendit kandidat, është shumë i rëndësishëm jo vetëm për vendin tuaj, por për gjithë rajonin. Për ne Shqipëria luan një rol të rëndësishëm për stabilitetin e rajonit. Presim një vendim pozitiv në qershor. Janë me shumë rëndësi treguesit në vazhdimësi për përmbushjen e 5 prioriteteve që keni aktualisht”, tha Zv.Ministri i Jashtëm grek.