Olli Rehn: Marrëveshja e Greqisë me trojkën, “lajm shumë i mirë"
Komisioneri i BE-së për politikën monetare, Olli Rehn, ka shprehur kënaqësinë për arritjen e marrëveshjes në nivel teknik që u arrit ndërmjet trojkës dhe qeverisë greke.Rehn deklaroi se ky "është një lajm shumë i mirë dhe rezultat i punës intensive disa javore, me diskutime shpeshherë të vështira".Siç tha, tani ekspertët do të përgatisin një raport të detajuar që do t'i paraqitet për miratim Eurogrupit në takimin e Athinës, në fillim të muajit prill.Sipas komisionerit europian, misioni i trojkës ka vërtetuar se ekonomia greke po fillon të stabilizohet dhe se pritet të rikthehet gradualisht, brenda vitit 2014, në ritme pozitive zhvillimi."Performanca fiskale ndodhet në kursin e duhur dhe është gjithashtu e rëndësishme që reformat bazike strukturore janë dakorduar", deklaroi Rehn.Sipas tij, veç të tjerash, do të përshpejtohen përpjekjet për t'u forcuar rrjeti i mbrojtjes së shtresave më të dobta dhe do të ketë gjithashtu më shumë programe për punësimin e të papunëve edhe nga brezi i ri, me përdorimin e fondeve komunitare. Dhe kjo përbën pjesë të marrëveshjes, theksoi Rehn.Komisioneri për financat theksoi se mbetet me rëndësi esenciale vazhdimi i reformave, sidomos tani që investitorët po tregojnë interesim të madh për Greqinë.Si përmbyllje, ajo që po dëshmohet është se Greqia po kthen faqe dhe po hyn në rrugën e zhvillimit, gjë që është padyshim lajm pozitiv, jo vetëm për grekët, po për gjithë europianët, nënvizoi Rehn.