Sot zhvillohen zgjedhjet parlamentare në Serbi
Sot në Serbi mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, që cilësohen me rëndësi për procesin e reformave që duhet të pasojnë hapjen e negociatave të saj për anëtarësim në Bashkimin Evropian.Në zgjedhje marrin pjesë 19 parti dhe koalicione, të cilat garojnë për 250 vendet e parlamentit. Të drejtë vote kanë rreth 6.7 milionë njerëz.Zgjedhjet e parakohshme zhvillohen gati dy vjet pas zgjedhjeve të rregullta parlamentare që janë mbajtur më 12 maj të vitit 2012.Ato janë thirrur nga partia në pushtet, Partia Përparimtare Serbe, e cila, sipas analistëve, shpreson të rrisë mbështetjen publike pas hapjes së suksesshme të bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian.Zgjedhjet serbe do të mbahen edhe në Kosovë ku procesi organizohet nga Misioni i Organizatës për Siguri e Bashkëpunim në Evropë.Në zgjedhje pritet të marrin pjesë edhe shqiptarët në Luginën e Preshevës, ndonëse vetëm njëra nga partitë ka paraqitur kandidatë për deputetë në parlamentin serb. Përveç partisë së Riza Halimit, subjektet e tjera do të bojkotojnë zgjedhjet.Sondazhet favorizojnë partinë e Zv.kryeministrit Aleksandër Vuçiç, i cili pritet të fitojë me rreth 40% të votave, e megjithatë edhe nëse ai do të fitojë do t’i duhen partnerë për të krijuar qeverinë.Ndërkohë qeveria e Kosovës kishte marrë vendim që qytetarët me dy nënshtetësi që jetojnë në Kosovë, mund të votojnë në zgjedhjet parlamentare të Serbisë.Ndryshe nga ekzekutivi, partitë politike opozite në Prishtinë kanë konsideruar se mbajtja e këtyre zgjedhjeve në Kosovë, paraqet shkelje të sovranitetit të shtetit.Kjo fushatë ka treguar se temat kryesore kanë qenë korrupsioni, rritja e nivelit ekonomik dhe integrimi. Nuk ka pasur shumë përmendje të çështjes së Kosovës.