MAPL, 30 ditë afat ligjor Komunave të Veriut për rishqyrtimin e statusit

Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal u ka dërguar një shkresë ligjore komunave të veriut, duke u kërkuar rishqyrtimin e statuteve me anë të secilës do të bëhen ndryshimet përkatëse dhe të plotësohen kërkesat ligjore të parapara me ligjet e Kosovës.Kjo shkresë u ka shkuar pas monitorimit të mbledhjes së Kuvendit të Komunave Zveqan, Mitrovicë Veriore, Zubin Potok dhe Leposaviq.Për këtë qëllim, MAPL ka dhënë afatin ligjor prej 30 ditëve në mënyrë që organet e komunës të kenë mundësi të bëjnë ndryshimet e nevojshme.Po ashtu, ka kërkuar nga Komuna e Mitrovicës Veriore që të procedojnë në MAPL draft statutin final të miratuar me ndryshimet e aprovuara për vlerësim të ligjshmërisë.“Sa i përket draft statutit të miratuar në Kuvendin Komunal të Zubin Potokut, MAPL është në fazën kryesore të shqyrtimit të ligjshmërisë dhe brenda afatit ligjor, organet e komunës dhe publiku do të informohet lidhur me rezultatet finale”, thuhet në njoftimin e MAPL-së.MAPL pret nga organet e komunës që të ndërmarrin veprimet e nevojshme për harmonizimin e Statutit me legjislacionin në fuqi dhe kur kjo të bëhet, do të bëj konfirmimin e ligjshmërisë në mënyrë që statuti të bëhet i plotfuqishëm dhe të mund të publikohet në faqen zyrtare, ashtu siç parashihet me rregullat për procedurën e hartimit dhe publikimin e akteve të Komunave.