Flet Edita Tahiri pas kërcënimit: Tre herë kanë tentuar të më vrasin
Pas kërcënimit që ka marrë përmes celularit nga një qytetar i Dragashit, zëvendëskryeministrja, Edita Tahiri, ka folur edhe për tentim atentatet ndaj saj, duke thënë se gjatë vitit 2000, kur ishte anëtare e LDK-së, ndaj saj janë bërë tri tentime për atentat.“Shumë vite vazhdon ky kërcënim, gati që nga koha kur jam larguar nga LDK-ja”, është shprehur Tahiri, duke treguar se për këtë kërcënim kabineti i saj i ka njoftuar organet e rendit.“Asnjëherë nuk kam pasur dëshirë dhe as tani që këto çështje të trajtohen në medie”, ka thënë Tahiri.Edita Tahiri, e cila ka kontribuar për shtetndërtimin e Kosovës në shumë pozita udhëheqëse në institucionet e Kosovës, njëherë në postin e ministres, në mandatin e parë të qeverisë Thaçi, tash zëvendëskryeministre, njëherësh kryenegociatore e dialogut teknik në Bruksel, ka treguar se kur ka qenë pjesë e LDK-së ka pasur tri tentim-atentate.“Kur kam qenë në LDK kam pasur tre tentativa pwr atentat në vitin 2000. Kjo ka qenë arsyeja e largimit për studime në Harvard. E mos të flasim se gjatë okupimit kërcënimi ka qenë i vazhdueshëm”, ka treguar Tahiri.Tahiri ka thënë se, pavarësisht kërcënimeve që ka pasur, ajo nuk do të ndalet për të shërbyer për shtetin e Kosovës.“Këto gjëra nuk më kanë ndalur asnjëherë, sepse Atdheu është para meje”, ka thënë Tahiri.