Shqiptarët e Preshevës me dy deputet në parlamentin serb

Edhe pse ende nuk ka rezultate zyrtare nga Komisioni Republikan Zgjedhor, bazuar në rezultatet preliminare të këtij institucioni por edhe të atyre të Qendrës për Zgjedhje të Lira dhe Demokratike në Serbi – CESID, nga më shumë se 70% të votave të përpunuara, lista e Partisë për Veprim Demokratik, ka arritur të sigurojë dy mandate në parlamentin republikan të Serbisë.Mbajtësi i listës së PVD-së, Riza Halimi, është shprehur mjaft i kënaqur me rezultatin e zgjedhjeve, ndërkohë që sipas tij ky rezultat ka dhe përgjegjësi mjaft të mëdha para atyre që dje i kanë dhënë besimin.Ndërkaq Shaip Kamberi, i dyti me radhë në listën e kandidatëve për deputet të PVD-së, duke komentuar ndryshimet e përgjithshme në skenën politike të Serbisë, është optimist se në bashkëpunim me faktorin ndërkombëtare do të ndryshojë për të mirë edhe gjendja e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.Lista ‘Partia për Veprim Demokratik – Riza Halimi” ishte e vetmja listë shqiptare që mori pjesë në zgjedhjet e djeshme parlamentare. Përkrahje dhe inkurajim për pjesëmarrjes në zgjedhje, PVD-së, i ka dhënë Prishtina dhe Tirana zyrtare, si dhe përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare të akredituar në Serbi.