Vëzhguesit e huaj gati të mbërrijnë në Shkup për zgjedhjet
Vëzhguesit e huaj gati për të mbërritur në Shkup për të ndjekur procesin parapërgaditur për zgjedhjet presidenciale dhe ato të parakohshme parlamentare.Kryetari i Parlamentit të Maqedonisë, Trajko Veljanovski, përmes një letre ka ftuar institucionet ndërkombëtare të dërgojnë vëzhguesit e tyre për monitorimin e procesit elektoral.Letra i është adresuar kreut të Asamblesë Parlamentare të OBSE-së, Parlamentit Evropian, Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe NATO-s.Diplomati gjerman Gert Arens sërish pritet të jetë shef i misionit të ODIHR për monitorimin e zgjedhjeve presidenciale dhe të parakohshme parlamentare në Maqedoni.Jozyrtarisht mësohet se Arens ka një përvojë të theksuar për zgjedhjet në Maqedoni, pasi që ishte shef i misionit edhe në zgjedhjet e fundit lokale.Nga zyra e ODIHR kanë bërë të ditur se javën e ardhshme do të publikohet emri i shefit të misionit dhe pjesa tjetër e strukturës së monitorimit.Paraprakisht do të angazhohen 11 ekspertë për zgjedhjet, 20 vëzhgues afatgjatë dhe 300 afatshkurtër.Ndërkohë, të premten Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve ka përcaktuar kalendarin zgjedhor, sipas të cilit fushata elektorale për zgjedhjet parlamentare do të fillojë më 5 prill dhe do të përfundojë më datë 27 të të njëjtit muaj.Fushata do të ndërpritet më 12 dhe 13 prill për shkak të heshtjes parazgjedhore për zgjedhjet presidenciale. Drejtuesit e KSHZ-së kanë shpallur edhe afatet për dorëzimin e listave me kandidatët për deputetë.Kështu, partitë politike duhet të dorëzojnë deri më 29 mars listat e kandidatëve për deputetë, ndërsa më 3 prill do të tërhiqet shorti për numrin e partive në fletëvotim.Në bazë të Kushtetutës, me shpërndarjen e Kuvendit ndërpritet edhe mandati i qeverisë aktuale. Për shkak të kufizimeve që parashikon Kodi i ri Zgjedhor, aktivitetet e funksionarëve qeveritarë gjatë dy muajve të ardhshëm do të jenë të kufizuara.