Anije ushtarake të NATO-s në Vlorë, i përkasin grupit të dytë detar mina-zbulues

Dy anije ushtarake të NATO-s, kanë mbërritur  në Portin e Vlorës, në kuadrin e një vizite katër ditore. Autoritetet portuale  dhe ato të kapitenerisë, thanë se anijet i përkasin Grupit të Dytë Detar mina-zbulues dhe mina-heqës të NATO-s."Mjetet lundruese, respektivisht mbajnë flamur të Gjermanisë dhe Italisë, ndërsa ato u ankoruan në kalatat lindore të portit, ku do të qëndrojnë deri në datën 17 shkurt", saktëson kapiteneria.Gjatë këtyre ditëve, bordin e këtyre anijeve pritet ta vizitojnë autoritete lokale ushtarake të vendit tonë  sipas një grafiku të caktuar. Vizita e parë parashikohet të realizohet mbrëmjen e sotme.Mbëritja dhe ankorimi i këtyre dy anijeve ushtarake në Portin e Vlorës, pason ato të Marinës Mbretërore vjeshtën e kaluar, të cilat u vendosën në hapësirën e gjirit detar, në kuadrin e stërvitjes së përbashkët shqiptaro-britanike  dhe në bazën e Pashalimanit qëndruan rreth 2500 ushtarë të NATO-s dhe disa anije bazë për rreth 20 ditë.