Klasa politike, si funksionon ajo dhe kritika ndaj saj

Variacione të mënyrës së të menduarit të politikanit. Të menduarit e të vepruarit në nivele të ndryshme të qeverisjes e të politikës, përveç të përbashkëtës, ka mjaft gradacione e variacione. Kjo shfaqet tek politikanë a qeveritarë të niveleve të ndryshme, në ndryshimet në të menduarit të tyre e shfaqjes së tij nëpërmjet sjelljes me publikun e me autoritetet. Kështu p.sh brenda kompleksit të pushtetit, në varësi të pozicionit (në varësi nga shkalla e pushtetit), shfaqen tipare specifike interesante. Zyrtari i emëruar a burokrati për shembull, është shpesh një përzierje e arrogancës me servilizmin. Sidomos ndaj eprorit, atij që e ka emëruar etj. Kurse ndaj popullit, ai shpesh shfaqet fodull, arrogant, mospërfillës. Përveç dëshirës për autoritet, pushtet, a për t’i dhënë vetes rëndësi, e zakonshme kjo për pothuaj çdo qenie njerëzore. Ndofta këtu ndikon dhe koshienca e thellë e fshehur e të qenit në fakt i padobishëm, parazit, apo jo me ndonjë vlerë kushedi se çfarë. Gjithsesi kjo është karakteristikë e përbashkët e të gjithë burokratëve, që nga shefi i zyrës më madhore pranë autoritetit më të madh a të madh e deri tek recepsionisti a sekretarja e ministrit a bosit që do të të sigurojë një takim me të, a ndryshe do të të fusë tek ai. Ndërkohë i zgjedhuri, në pushtet qendror a lokal, paraqitet më kompleks. Shpesh mendja e tij punon si ajo e zgjedhësve dhe të menduarit e tij duket si krejt normal, d.m.th i ngjashëm me atë të njerëzve të thjeshtë. Ndofta sepse varësia e tij nga votat e zgjedhësit, nuk e ndan atë krejtësisht nga bota e madhe e njerëzve të zakonshëm, që bëjnë jetën e zakonshme, që jetojnë brenda ligjit. Kësisoj ai është i detyruar të mbajë lidhje me ta e të ndikohet disi, së paku në formë, nga jeta e të menduarit e tyre. Por po të shihet mirë, edhe ai si burokrati, politikani që punon në ekzekutiv etj., është mjaft i ndryshëm nga zgjedhësit në aspektin e të menduarit. Disa nga zgjedhësit fjala vjen, mendojnë se ai mbron interesat e tyre a duhet t’i mbrojë ato, ndërkohë që ai e di mirë se thelbi i funksionimit të jetës së vet, janë zgjedhjet, përpjekja që ai të zgjidhet, rizgjidhet sërish e ndërkohë t’u mbushë mendjen zgjedhësve se ai është i përkushtuar krejt për ta dhe ndryshe nga të tjerët që nuk mendojnë për popullin. Një rast tjetër të menduari është ai i militantit që kërkon punë nga deputeti a funksionari i partisë për të cilën ka votuar, sapo fitohen zgjedhjet. Arroganca e tij, kanosja, në varësi të rolit të tij në zgjedhje, klanet, grupet që krijohen a që mbështesin të zgjedhurin e ku ai mund të ketë influencë etj., janë tipike për këtë shtresë tashmë të formësuar tek ne që në fillimvitet ‘90, me zgjedhjet e para pluraliste. Ka raste kur mënyra se si vepron e si ngjitet në shkallët e karrierës, përfaqësuesi i një shtrese të tillë, duke e filluar nga pozicioni i zgjedhësit të thjeshtë por disi aktiv e më vonë shumë aktiv, përbën një rrugë specifike të angazhimit në politikë, për tu marrë pastaj tërësisht me të, duke u kthyer edhe në politikan karriere. Në rastin më të thjeshtë militanti i këtij lloji përfiton një pozicion pune me leverdi. Tek ne fenomeni ka marrë përmasa të tilla saqë së paku në administratën shtetërore ka në masë, vetëm të punësuar me bazë anëtarësie a militantizmi partiak, që ndërrojnë konsekutivisht njëri-tjetrin, në momentet kur fitojnë partitë e tyre përkatëse. Të angazhohesh qoftë edhe si militant në një parti është kthyer tashmë në një prirje të gjerë dhe në mjaft raste gati-gati në një profesion me leverdi. Në çdo rast specifik pra, njeriu i politikës a produkti i saj mund të studiohet, duke vënë në pah a nxjerrë tiparet e veta specifike e të përbashkëta të të menduarit e sjelljes të të gjithë atyre që ushqehen nga politika, e duke nxjerrë shkaqet më të thella të tyre.Zgjerimi i gamës sociale që mbulon politika sot. Një politikan me peshë a udhëheqës politik, është në përgjithësi një individ që përfshihet në politikë aktivisht si protagonist apo luan rol me rëndësi në influencimin e politikëbërjes nga qeveria. Kjo gamë përfshin njerëz që kanë pozicione vendimmarrëse në qeveri, njerëz që i kërkojnë këto pozicione, me zgjedhje qoftë a me grusht shteti, me hile elektorale, trashëgimi, të drejtë hyjnore, emërim, etj mënyra, por dhe njerëz që qëndrojnë në prapaskenën e politikës por që luajnë rol me peshë në të. Politika pra nuk kufizohet me qeverisjen nëpërmjet zyrave publike. Politika sot në vendet më të zhvilluara mund të ketë zyra politike edhe në mjediset e kompanive a bizneseve të mëdha, korporatave, si dhe në mjedise të tjera që lidhen me politikën. Tashmë  tek ne njihet si praktikë e zakonshme suksesi e pushteti të shumanshëm, krijimi i monopoleve trekëndësh të tipit një biznes-një media-një angazhim politik. Zotërues të trekëndëshave të tillë tek ne, janë gjithnjë e më dominues në politikë, në jetën publike, atë financiare dhe influencojnë e shpesh kanë ose do të kenë në dorë politikanët e kryepolitikanët. Ata zakonisht kanë ndihmuar por edhe organizuar fushatat elektorale të të tjerëve, liderëve tradicionalë partiakë, i kanë ndihmuar ata për të fituar zgjedhjet elektorale e për të përfituar privilegje më vonë, por tashmë po dalin gjithnjë e më hapur edhe vetë si kandidatë për deputetë, përgjithësisht absolutisht të sigurt si fitues dhe disa herë të zgjedhur në parlament apo (më rrallë) edhe në ekzekutiv. Kemi kësisoj një shtresëzim politik, pjesë përbërëse kryesisht e dy partive të mëdha, që po rritet gjithnjë e më tepër e po bëhet predominues me rolin e vet të shumanshëm në jetën e vendit.Politikani tradicional është anëtar i ekzekutivit, i legjislativit, drejtues në nivelin lokal të qeverisjes. Por politikan është edhe çdo njeri që influencon opinionin e grupit në favor të vet, ose duke qenë pjesë e zyrës politike, punon për politikanin, e ndihmon atë të zgjidhet, financon ose lobon, në rastin më të thjeshtë propagandon a punon me zgjedhësit. Po kështu shefa të mëdhenj, drejtorë policie, institucionesh publike, juridikisht a formalisht të pavarur nga politika, gjyqtarë të zgjedhur a emëruar për shkak të opinioneve a qëndrimeve të tyre politike, e jo për shkak suksesi a popullariteti, janë gjithashtu pjesë e politikës, sado të kamuflohet a mohohet kjo. Tipikë janë për këtë gjyqtarët, të njëanshëm politikisht de facto, por jo de jure, kjo e fundit vetëm sepse jemi formalisht sistem europian ku sistemi gjyqësor duhet të jetë i pavarur nga politika. Kjo e bën edhe më të gjerë gamën e pushtetit politik dhe më të gjerë objektin e studimit të psikologjisë politike, më metastazike përhapjen e politikës në të gjithë organizmin shoqëror dhe pothuaj të pamundur suksesin në karrierë, a në biznes, për njerëz të paangazhuar a të palidhur në njëfarë mënyre me parti të caktuara a politikën aktive.Burokratët (administrate publike me ligj jo e politizuar), gjyqtarët, ushtarakët, nuk janë formalisht politikanë apo njerëz të politikës, por në të vërtetë ata janë në mjaft raste të tillë sepse kanë mbështetur hapur, aktivisht e në raste të tjera nëpërmjet simpative të matura personale (duhen prova të forta) partitë. Pra edhe ata vetë i emëron, zgjedh, qoftë edhe në mënyrë të kamufluar, partia politike në pushtet. Mbeten, jo politikanë, a mund të mos quhen të tillë, vetëm qytetarët e zakonshëm me të drejtë vote, ndonëse edhe këta kur ndihmojnë aktivisht për të sjellë partitë në pushtet, siç e pamë kërkojnë punë me leverdi, privilegje e deri fillim karrierash partiake politike, kur partia që mbështesin fiton. Këta në disa raste, kur janë të organizuar mes vedi, në formë klanesh familjare e gupesh sociale a të lagjes, ndikojnë dhe në grupet vendimmarrëse, njihen deri në instancat më të larta partiake, dhe po bëhen gjithnjë e më të fuqishëmPolitikanët si klasë. Kritika. Politikanët përgjithësisht shihen edhe si një klasë e tërë, që madje në mjaft raste e gjen gjuhën e përbashkët edhe kur politikanë të ndryshëm, bëjnë pjesë në kampe politike kundërshtare. Ata shpesh kritikohen që janë të tillë madje edhe për faktin që nuk janë veçse politikanë karriere e nuk dinë të bëjnë gjë tjetër. (Zvicra e ka zgjidhur këtë ndryshe këtë problem me një sistem më jashtëpolitik, por ende ky sistem nuk funksionon në vendet e tjera europiane). Kjo sepse nëse politika bëhet burimi i vetëm i të ardhurave të veta, politikanit i duhet të luftojë për rizgjedhjen e vet në parlament dhe për rrjedhojë nuk merr dot vendime të paanshme, të pandikuara nga zgjedhja e vet apo të guximshme e që i vlejnë komunitetit, sidomos nga ato që në pamje të parë mund të interpretohen negativisht. “Asnjë nuk do lëvizë nga puna. Le të jenë të gjithë të paaftë. Dua të jem prapë në parlament”, deklaronte ministri x vite më parë, dhe vazhdoi të punojë (të mos punojë) me vite me një staf të paaftë, vetëm sepse pjesa dërrmonjëse e tyre vinin nga radhët e militantëve apo ishin të afërt me figura qendrore të partisë. (Në një rast tjetër pikërisht lëvizja e këtyre njerëzve dhe zëvendësimi me të aftë, jo militantë, u bë shkak për shkatërrimin e një karriere, madje më tej). Kësisoj realizohet dëshira e një pakice por dëmtohet dobia e punës së institucionit të tij për komunitetin. Po kështu një politikan i tillë nuk do të luftojë të kalojë në parlament ndonjë draft ligji, jopopullor në pamje, por të drejtë. Kjo sjell stanjacion politik, dhe vështirësi me qenë i drejtë për të zgjidhur padrejtësitë, për të bërë progres e për të sjellë ndryshim. Ndërkohë që duhet mirëbesim, paanshmëri, kompetencë në mbrojtjen e interesave të gjera, dhe jo komplekse e veprime që shpesh shkojnë sinkron vetëm me interesat e politikanit a deputetit. Kjo sepse mendësia e këtij të fundit është thjesht e fokusuar në qëllimin individual të vijimësisë të të qenit profesionist në politikën aktive. Kjo ka bërë që në mjaft vende europiane, për rastet kur veprimi a mosveprimi i deputetit, bie ndesh në mënyrë flagrante me interesa të elektoratit, si kundërmasë është hequr imuniteti i deputetëve e ministrave që këta të mos kishin mundësi të mbroheshin padrejtësisht. Sidomos kur ishin kundër ligjit. Kjo sepse përderisa ata kanë pushtet mbi popullin, janë më pranë të mirave materiale, ryshfetit, mundësisë për përvetësim, po nuk pati tutorship mbi ta e punën e tyre, do të ketë shkelje ligji e për rrjedhim, mohim të të drejtave e interesave të njerëzve të thjeshtë. /Burimi: mapo.al/