Meta, Koka dhe Naço në Çorovodë, marrin pjesë në projektin e pyllëzimit të qytetit

Në kuadër të sezonit të pyllëzimit, Ministri i Mjedisit Lefter Koka i shoqëruar nga Kryetari i Kuvendit Ilir Meta dhe Ministri i Drejtësisë, Nasip Naço, morën pjesë në çeljen e projektit për pyllëzimin në qytetin e Çorovodës.Gjatë vizitës së tyre, ata vizituan fillimisht gjimnazin e qytetit ku inspektuan rikonstruksionin e godinës si dhe sistemin e ri të ngrohjes.  Kryetari i Kuvendit Meta bashkëbisedoi me nxënësit dhe theksoi rëndësinë e përkushtimit të tyre ndaj mjedisit dhe zhvillimit të qytetit. Ai përgëzoi Ministrin e Mjedisit për vëmendjen e kushtuar ndaj pyllëzimeve në qytetin e Çorovodës.Ministri i Mjedisit ftoi të rinjtë të merrnin pjesë në aksionin për pyllëzimin por edhe për ruajtjen e mjedisit.Më pas Ministri Koka,  në shoqërinë e Kryetarit të Kuvendit Ilir Meta dhe Ministrit të Drejtësisë Nasip Naço ecën nëpër shëtitoren e qytetit për tu ndalur pranë Pallatit të Kulturës ku   së bashku me gjimnazistë mbollën fidanë të rinj.Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta pas mbjelljes së fidanëve u shpreh: ” I bëj apel të rinjve të mbrojnë natyrën. Le të mbështesim të gjithë sëbashku Ministrinë e Mjedisit për punën e mirë që po bën me projektet e pyllëzimit”.Ndërsa ministri i Mjedisit, Lefter Koka gjatë fjalës së tij deklaroi se, “Do të pyllëzohet 50 ha në Çorovodë dhe 100 ha Skrapar dhe në të gjithë qarkun e Beratit”.  Ministri Koka bëri të ditur se, do të ketë edhe projekte të mëtejshme për pyllëzimin e të gjithë vendit.Pas mbjelljes së fidanëve Ministri i Mjedisit i shoqëruar nga Kryetari i Bashkisë Nesim Spahiu zhvilloi një takim me drejtues të Drejtorisë së Shërbimit Pyjor dhe Agjencisë Rajonale Mjedisore për Qarkun e Beratit.