Prishtinë, përplasje mes protestuesve dhe policisë së Kosovës
Për të nëntën ditë studentët e Universitetit të Prishtinës dhe anëtarë të shoqërisë civile kanë protestuar para Rektoratit të UP-së për të kërkuar dorëheqjen e rektorit Ibrahim Gashi.Ndërkohë në mungesë kuorumit, Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur të hedhë në votim rekomandimet nga partia politike në opozitë, Lidhja Demokratike e Kosovës, mbi gjendjen e krijuar në Universitetin e Prishtinës. Rekomandimet e LDK-së, janë mbështetur edhe nga dy partitë tjera politike në opozitë, Lëvizja Vetëvendosje dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.Universiteti i Prishtinës është futur në rend dite të Kuvendit të Kosovës pas pothuajse dy javë protestash para Rektoratit të Universitetit.Protestuesit po kërkojnë dorëheqjen e rektorit të UP-së, Ibrahim Gashi, duke thënë se "punimet shkencore që rektorit Gashi i janë njohur si kontribut për promovimin e tij akademik, janë të botuara në një revistë shkencore në Indi".Studentët kanë paralajmëruar vazhdimin e protestave ndërsa nuk kanë munguar as perleshjet mes tyre dhe policisë së Kosovës.