BE dhe Berlini përshëndesin nismën e Obamës për përgjimet

Berlini dhe KE përshëndetën paralajmërimin e presidentit të SHBA për të kufizuar spiunazhin e NSA-së. Megjithatë për koalicionin qeveritar mes Unionit dhe SPD-së planet e Obamës për reforma nuk janë të mjaftueshme. Komisioni Evropian përmes zëdhënses së tij, tha se veprimet e Presidentit tregojnë se shqetësimet legjitime të BE-së në janë dëgjuar në Uashington.Ndërkaq në Berlin, zëdhënësi i qeverisë Steffen Seibert, tha se qeveria gjermane përshëndet në parim "që mbrojtja e të dhënave dhe të drejtat e privatësisë duhet të respektohen më fortë në ardhmen edhe për shtetasit jo-amerikanë." Ai përsëriti formulën, sipas të cilës "në tokën gjermane duhet të respektohen ligjet gjermane, dhe sidomos nga aleatët tanë të ngushtë dhe partnerët", tha Seibert.Kështu që reformimi i punës së shërbimeve të fshehta amerikane prek në mënyrë të drejtpërdrejt qeverinë gjermane: sipas presidentit Obama në të ardhmen nuk do të përgjohen më presidentët dhe kryeministrat e vendeve mike. Një shenjë e qartë për kancelaren Angela Merkel, telefoni i të cilës është përgjuar po ashtu. Përveç kësaj Obama ka premtuar se në të ardhmen të huajt do të trajtohen pjesërisht si qytetarët e SHBA-së, kur është fjala për mbrojtjen e privatësisë së tyre.Në të njëjtën kohë, megjithatë, Obama ka mbrojtur në parim punën e shërbimeve të inteligjencës. Ato kanë evituar shumë sulme terroriste jashtë vendit dhe kanë shpëtuar jetën e njerëzve. Dhe ato do të vazhdojnë të mbledhin informacione në lidhje me qëllimet e qeverive të tjera, e bëri ai të qartë.Prandaj ministri gjerman i Drejtësisë Heiko Maas (SPD) është ende këmbëngulës për një marrëveshje mosspiunimi me Uashingtonin. "Vetëm atëherë kur ne të kemi nënshkruar një marrëveshje ligjore që mbron të dhënat e të gjithë qytetarëve, ne do të jemi në gjendje për të rikthyer besimin e humbur", tha ai për gazetën "Bild am Sonntag". Obama nuk e ka përmendur një marrëveshje të tillë "me asnjë fjalë" ka kritikuar zëdhënësi i politikës së jashtme për grupin parlamentar të SPD-së, Niels Anen.Edhe për kryetarin e Komisionit të Bundestagut për punë të brendshme, Wolfgang Bosbach (CDU), fjalimi i Obamës nuk ka përmbushur pritjet. "Ky fjalim nuk do të kontribuojë në qetësimin e qytetarëve në Gjermani ", tha ai për numrin e sotëm të gazetës " Rheinische Post". "Unë kam frikë se amerikanët do të vazhdojnë të mbledhin të dhëna pa ndonjë shkas edhe tek aleatët" . Kryetari i Komitetit për Punë të Jashtme, Norbert Röttgen (CDU) , e përshkroi fjalimin e Obamës si " të një natyre më shumë teknike."Ndërkaq themeluesi i Wikileaks-it Julian Assange kritikoi fjalimin si krejtësisht të mangët."Është e turpshme për një kryetar shteti që të flas 45 minuta dhe të mos thotë pothuajse asgjë", tha Assange për kanalin televiziv CNN.