Forumi ekonomik botëror i Davosit
Më shumë se 2,500 udhëheqës biznesi, qeverish dhe shoqatash akademike e civile pritet të marrin pjesë në Forumin Ekonomik Botëror të këtij viti në Davos të Zvicrës. Në takim, i cili zhvillohet nga 22 deri më 25 janar, do të diskutohet rreth sfidave të botës së sotme në ndryshim.Si në vitet e kaluara, Forumi Ekonomik Botëror do të shoqërohet me plot reklama, ndërkohë që do të merren masa të shumta sigurie në qytetin e vogël të Alpeve zvicerane për të mbrojtur disa prej personaliteteve më të shquara të botës.Mes më shumë se 40 kryetarë shtetesh që pritet të marrin pjesë janë kryeministrat e Australisë, Japonisë dhe Britanisë së Madhe si dhe presidentët e Meksikës, Koresë së Jugut dhe Brazilit. Për herë të parë që nga viti 2004, një president i Iranit do të shkojë në Davos. Organizatorët e Forumit thonë se Hassan Rouhani do të flasë rreth vendit të Iranit në botë dhe do të paraqesë pikpamjet e tij të marrëdhënieve të Teheranit me pjesën tjetër të botës.Pjesëmarrësit do të marrin pjesë në diskutimin e fushave të ndryshme. Shumë prej tyre do të marrin pjesë në diskutime komisionesh të përqëndruara në temën e këtij viti: “Riformimi i botës: Pasojat për shoqërinë, politikën dhe biznesin".Themeluesi i forumit dhe kryetari ekzekutiv, Klaus Schwab, thotë se disa prej mëndjeve më të ndritura do t’u kërkohet të zgjidhin kompleksitetet e botës. Ai thotë se atyre do t’u kërkohet të shqyrtojnë çështje të vështira, si për shembull situata në Lindjen e Mesme. Atyre do t’u kërkohet gjithashtu që të ofrojnë zgjidhje rreth çështjeve shumë të vështira të botës, përfshirë fushat e reja dixhitale dhe teknologjike, krijimin e vendeve të reja të punës dhe ngrohja globale.Mes çëshjeve më të rëndësishme janë sesionet mbi ndryshimet klimatike dhe objektivat e zhvillimit pas vitit 2015, e ardhmja e shëndetit dhe kujdesit shëndetësor si dhe problemi i rëndësishëm i papunësisë mes të rinjve.Sesione të tjera përfshijnë diskutime mbi perspektivat e ekonomive të rëndësishme si Kina, India, Brazili, Meksika dhe Rusia. Do të diskutohet edhe mbi të ardhmen e Afrikës veriore dhe Lindjes së Mesme. Edhe Afrika do të zerë një vend të rëndësishëm, por ndryshe nga vitet e mëparshme. Gati 40 udhëheqës afrikanë, mes tyre 9 kryetarë qeverish do të marrin pjesë, mes tyre presidentët e Tanzanisë, Ruandës, Nigerisë, Ganës dhe Liberisë.Në një largim nga praktika tradicionale, drejtoresha e Forumit ekonomik botëror për Afrikën, Elsie Kanza, thotë se këtë vit nuk do të ketë sesione zyrtare për Afrikën. Ajo theksoi se çështjet e Afrikës do të diskutohen krahas takimit kryesor të forumit ose do të integrohen në çështje të tjera globale.Zonja Kanza shton se udhëheqësit afrikanë nuk duan që çështjet e tyre të trajtohen si raste të izoluara, por duan të shikohen si të barabartë me gjithë pjesëmarrësit e tjerë.