Bojner: SHBA-ja mund t'i shpëtojë katastrofës fiskale

Muaji dhjetor do të jetë një muaj i vështirë për amerikanët dhe presidentin Barak Obama.  Ndërsa kanë mbetur vetëm katër javë nga ky regjim shtrëngues që mund të godasë ekonominë delikate amerikane, kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan, Xhon Bojner, pranoi se Shtetet e Bashkuara mund t'i shpëtojnë në fakt katastrofës fiskale.Në një intervistë për mediat amerikane Bojner tha se ekziston një shans i mirë për të zgjidhur këtë  problem. Nga ana tjetër sekretari i Thesarit, Timothi Gajtner tha se nuk mund të garantonte amerikanët se një marrëveshje do të arrihej para 1 janarit.Javën e kaluar Gajtner u takua me udhëheqësit e Kongresit për të paraqitur planin e administratës Obama për të shmangur katastrofën fiskale. Propozimi përmand ngritjen e taksave për të pasurit, shtimin e shpenzimeve në infrastrukturë, kompensimeve federale të papunësisë, uljen e kostos së kujdesit shëndetësor për pensionistët, duke shfrytëzuar kursimet nga përfundimi i luftës në Afganistan.Por kryetari Bojner tha se plani i administratës parashikon shkurtime të mëdha taksash dhe jo shkurtime reale shpenzimesh. Gajtner tha se nëse negociatat dështojnë, kjo do të jetë për shkak të republikanëve. Vetëm një takim i drejtpërdrejtë është zhvilluar deri tani mes Presidentit Obama dhe udhëheqësve të Kongresit që nga zgjedhjet e muajit të kaluar. Shtëpia e Bardhë dhe stafi i Kongresit janë përpjekur të negociojnë për javë me radhë për të ngushtuar divergjencat.Deficiti federal amerikan i kalon një trilionë dollarët në vit dhe borxhi kombëtar është mbi 16 trilionë dollarë.