Talebanët sulmojnë bazën amerikane

Talebanët realizuan një seri sulmesh vetvrasëse ndaj një baze ajrore amerikano-afgane në lindje të Afganistanit, raportuan të dielën mediat ndërkombëtare. Burimet e Shërbimeve të Fshehta Afgane thanë për “BBC” se të paktën tetë kamikazë u përfshinë në këtë sulm të koordinuar pranë Jalalabadit.Të gjithë agresorët u neutralizuan nga forcat e NATO-s, ndërsa në shkëmbimin e zjarrit humbi jetën edhe një ushtar afgan.Besohet se talebanët kishin një plan për t’u infiltruar fillimisht në bazë, ku mund të bënin më shumë dëme me shpërthimin e bombave të mbajtura në trup.Megjithatë, aftësia e talebanëve për t’iu afruar perimetrit të bazës dhe për të organizuar një sulm ndaj një baze të NATO-s, ngre dyshime serioze mbi aftësinë e trupave qeveritare për të kontrolluar situatën e rendit në vend, pas tërheqjes përfundimtare të trupave aleate në vitin 2014.Aktualisht, NATO ka 130 mijë trupa në reduktim të vazhdueshëm në Afganistan, midis të cilëve 440 ushtarë shqiptarë.