Franca kundër ndërtimit të banesave në Jeruzalem
Nga OraNews Përditësimi i fundit 3 Dhjetor 2012, 07:37
Ministri i jashtëm francez, Laurent Fabius, iu bashkua zërave që i kërkojnë autoriteteve izraelite të heqin dorë nga projekti i ndërtimit të 3.000 banesave të reja në Jeruzalemin lindor dhe në Bregun Perëndimor.Izraeli, tha shefi i diplomacisë franceze, duhet të abstenojë nga një vendim i tillë e të dëshmojë vullnetin e tij për rifillimin e negociatave.“Një hap i tillë do të kishte pasoja vërtet të rënda. Ai do të përbënte një pengesë serioze për zgjidhjen përmes ekzistencës së dy shteteve sepse do të cënonte afërsinë territoriale të një shteti të ardhshëm palestinez e do të minonte besimin e nevojshëm për rifillimin e dialogut”, deklaroi Fabius.
Më herët, kritika në drejtim të Izraelit për synimet e tij lëshoi edhe Uashingtoni. Njoftimi i shtetit hebre se ka për qëllim të ndërtojë banesa të reja në zonat në fjalë erdhi menjëherë pasi Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi kërkesën e Autoritetit Palestinez për të ngritur statusin e saj në atë të një shteti jo-anëtar vëzhgues.