Statusi drejt “greminës”? Paloka: Jemi ende në kohë për miratimin e 3 ligjeve
Kur kanë mbetur 20 ditë nga mbledhja e Këshillit Europian, duke filluar nga e shtuna e parë e dhjetorit, mazhoranca deklaron se jemi ende në kohë për miratimin e tre ligjeve të kërkuara nga KE për marrjen e statusit kandidat. Në intervistën e mbrëmjes në RTV Ora News, deputeti i PD Edi Paloka pavarësisht rezervave lidhur me qëndrimin e PS dhe liderishipit të saj për zvarritjen e ligjeve me shumicë të cilësuar, ai vlerësoi se votimi i tyre qoftë edhe një ditë para 20 dhjetorit do të shërbente si vulë vendimtare për fatin e statusit të Shqipërisë në BE.“Sfida më e afërt në këtë 100 vjetor të dytë është marrja e statusit. Janë bërë dhe përpjekje dhe jo pa rezultat faktikisht. Deri sa Rama ka këtë pozicion të paarsyeshëm edhe për ndërkombëtarët, po merret parasysh që ti jepet Shqipërisë statusi edhe pa realizimin e këtyre kushteve, Kryeministri slloven dje e shprehu këtë pozicion, e kanë shprehur dhe të tjerë. Megjithatë deri diku është një mission i pamundur pasi KE ka rregulla të qarta dhe strikte, nuk e ka menduar kurrë se mund të ndodhte kjo. Por derisa një pjesë vendeve të BE janë gati dhe premtojnë që do përpiqen ti japin statusin Shqipërisë edhe pa miratuar fare ligjet, natyrisht nëse këto miratohen, sikur edhe një ditë para do të vendoste vulën për statusin” tha ai.Paloka deklaroi se statusi është kthyer në një betejë elektorale për partitë, në mënyrë të vecantë për PS, ndërsa theksoi se dështimi në marrjen e tij do të ishte një dëm i madh për politikën dhe në mënyrë të vecantë për xhepat e cdo shqiptari. Sa i përket “mollës së sherrit” që ngriu konsensusin mes palëve, këshili i qarkut të Fierit, deputeti i PD tha se partia e tij dhe lidershipi i saj e ka bërë të qartë verdiktin e saj, nuk ka alternativë tjetër.“Alternativa është bërë e qartë dhe publike nga mazhoranca, kur u është treguar rruga që duhet të ndiqet. Berisha i ka thënë Ramës që nëse do të zgjidhë cështjen e Fierit të kryejë këtë formalitet konform Kushtetutës. Rama vazhdon të kërkojë pushtet në tavolinë. Ai vazhdon të mendojë se do të fitojë politikisht përmes statusit, por në fund do ta pësojë vetë në 2013. Ai se kupton se në këtë pjesë ne vetëm përfitojmë si parti nëse ai nuk i voton ligjet. Statusi është kthyer në një betejë elektorale, por nëse e shohim tek xhepi i cdo shqiptari janë miliona e miliona euro që s’do tu hyjnë në xhep vetëm nga ky qëndrim i Ramës” deklaroi Paloka.Paloka ka folur edhe për incidentin diplomatik me Greqinë fqinje pas deklaratës së kryeministrit Berisha lidhur me shtrirjen territoriale të vendit tonë, të cilën e konsideroi një fakt historik që nga Athina po përdoret si një sebeb për një krisje të marrëdhënieve dypalëshe, e që sipas tij nuk është në interes të saj nëse mendon ta përkthejë në votë kundër për statusin në KiE.“Në këtë rast do të kishim të bëjmë me një sebep, ajo që ka thënë Berisha është fakt historik që është thënë me qindra e mijëra herë dhe është thënë në kontekstin historik. Shqipëria ska paraqitur asnjëherë pretendime territoriale. Nuk besoj se do përdoret, keqkuptime të tilla sqarohen. Por nëse s’bëhen, dalim sërish tek sebepi, nuk është në interes të Greqisë kjo ,ka boll probleme të saj” tha më tej deputeti i PD-së.Të gjendur përballë një rizgjimi nacionalist, Paloka preferon ta konsiderojë më tepër një patriotizëm të shëndetshëm që nuk dëmton askënd. Për t’iu rikthyer festimeve të 100 vjetorit, nga doli e gjithë kjo frymë kuq e zi, Paloka nuk ka nguruar të akuzojë kryesocialistin Rama për përdorim politik të festës kombëtare, duke injoruar Shqipërinë përmes përqëndrimit të tij në Vlorë, me qëllim sigurimin e votave të vlonjatëve.“Në festimin e 100 vjetorit të pavarësisë ndodhin këto, është normale. Patriotiznmi u vra gjatë regjimit diktatorial. Jam befasuar pozitivisht, qoftë dhe vetëm flamujt ti marrësh që i gjeje kudo, më vjen mirë që ndodhi dicka e tillë, kjo nuk sjell nacionalizëm por një patriotizëm të shëndetshëm. Edhe kjo festë e tregoi këtë. Atmosfera mund të ndikojë për të nxjerrë përfitime nga partitë, por më shumë është abuzuar nga PS. Erdhi puna ku u ndamë në festime, ai e banalizoi me idenë se festimet duhen bërë vetëm në Vlorë dhe kjo u bë me qëllim politik, për të fituar simpatinë e vlonjatëve dhe humbi të tjerët. Vlora ka vlerën e saj absolute dhe u vlerësua për atë që ka, por Vlora nuk është Shqipëria. Është një lojë meskine për të fituar brenda Vlorës, një politikë që e ka ndjekur në shumë raste, por e dështuar. Ceremonia dhe protokolli ka qenë përfekt, filloi në Vlorë dhe vazhdoi në kryeqytet. Po të merret kështu, Rama 29 nëntorin duhej ta festonte në Han të Hotit. Me logjikë normale 28 është dita kur Enver Hoxha hyri në Tiranë” u shpreh ai.E ndërsa përpara kemi një vit elektoral dhe PD vjen në zgjedhjet 2013 me 8 vite qeverisje mbi shpatulla, përse duhet që qytetarët shqiptarë ta votojnë këtë parti edhe për një tjetër mandat?“Besimi ndaj kësaj force politike duhet të jetë i plotë, cfarë premtuam e mbajtëm, sigurisht kërkesat e njerëzve janë të vazhdueshme. Ajo që mund të ndryshojë situatën pas 8 vjet në pushtet janë interesat e vogla personale, kjo mund ta vështirësojë pak një zgjedhje të tretë. Por kjo është e riparueshme , mudn të ulemi me këta njerëz të bisedojmë. PD është një parti që ka 121 mijë anëtarë, vende pune me gjithë Bashkinë janë 80 mijë, mendo se ku do ti fusim vetëm anëtarët e PD kur këto janë mundësitë dhe kushtet. Ka pretendime ndër më absurdet. Unë hyj tek ajo pjesë që mendoj se duhet vlerësuar puna e militantëve në varësi të nevojave, kontributeve dhe cilësive që kanë. Me rëndësi është që të punojmë me këta njerëz. Por fundja e fundit mjafton edhe një pyetje e tipit “do prisni të zgjidhni problemet kur të vijë Rama?” për ti dhënë përgjigje kësaj dileme.