Arrestohet kreu i Bashkisë Kamëz, Xhelal Mziu akuzohet për abuzim me një tender

Kreu i Bashkisë së Kamzës, Xhelal Mziu, është vënë në pranga nën akuzën e korrupsionit. Ndërsa ndodhej në një lokal në Tiranë, policia ka ndërhyrë duke i vënë pranga kryebashkiakut demokrat, pasi gjykata kishte vendosur masën e sigurisë "arrest me burg", pas kërkesës së task-forcës në Prokurorinë e Tiranës.Xhelal Mziu, akuzohet për pabarazi në tenderin e ndërtimit të rrugës Valias i ri - Laknas. Arrestimi erdhi pas një hetimi i cili kishte nisur disa muaj më parë, nga krimi ekonomik në Policinë e Tiranës. Të njëjtat akuza rëndojnë edhe ndaj drejtorit juridik në Bashkine e Kamzës, Atli Hoti, i cili është shpallur në kërkim.Ndërsa Mziu u shoqërua në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, uniformat blu kanë kryer kontrolle në Bashkinë e Kamzës por edhe në banesën e Mziut.Një numër i madh uniformash blu kanë qënë të pranishme në operacionin e kontrollit në banesën e kreut të Bashkisë së Kamzës.Në njoftimin zyrtar të Task-Forcës së Prokurorisë së Tiranës, thuhet se: "Ky organ ka arritur në konkluzionin se dy shtetasit kanë kryer veprime të kundërligjshme gjatë proçedurës së prokurimit publik për ndërtimin e rrugës "Valias i Ri-Varrezat Laknas. Sipas hetimeve, ka rezultuar se autoriteti kontraktor, Bashkia Kamëz, pas përfundimit të plotë të proçedurave ka shpallur fitues një shoqëri ndërtimi, të cilën më pas e ka skualifikuar pa dhënë një arsye dhe ndërkohë ia kishte dhënë të drejtën e ndërtimit të rrugës  një tjetër kompanie.Ka qenë pikërisht kallëzimi penal nga shoqëria që u skualifikua në mënyrë të padrejtë nga gara që ka çuar në nisjen e hetimit dhe Prokuroria ka krijuar dyshime të arsyeshme se shtetasit Xhelal Mziu dhe Atli Hoti, kanë kryer veprën penale të "shpërdorimit të detyrës".Ndërkaq policia ka kryer kontroll dhe në një argjendari që rezulton të jetë në pronësi të bashkëshortes së Xhelal Mziut ku është gjetur një sasi floriri e bizhuterish që rezultojnë të vjedhura nga një grup grabitësish. Për këtë arsye policia ka kërkuar të bëjë shoqërimin në polici të bashkëshortes së Mziut, e cila mësohet se ka kundërshtuar uniformat blu. Ndaj saj ka nisur proçedimi penal.Xhelal Mziu, 46-vjeç është zgjedhur si kryebashkiak i Kamzës në 18 shkurt të vitit 2007 dhe në vitin 2011 ka fituar mandatin e dytë nga Partia Demokratike. Aktualisht po ushtronte mandatin e tij të dytë në këtë detyrë.