Integrimi në BE, kur fajin e kanë të tjerët

Ilir Meta është i sigurt se do ta shohë në qershor ekipin e futbollit të Holandës të luajë në botërorin e Brazilit, por nuk mund të jetë i sigurt se vendi i tij, po atë muaj, do të pranohet si kandidat për në Bashkimin Europian. Dhe për këtë pasiguri sigurisht që fajin nuk ia ka Holanda, pavarësisht se si do të luajë ajo në botëror. Përpjekja për ta gjetur përgjegjësinë diku tjetër, nëntekstet ironike ndaj vendeve që “nuk na duan”, devijimi i diskutimit tek kundërshtari politik, janë avaze të vjetra sa herë që një qeveri nuk arrin të përmbushë angazhimet e saj. Në vitin e tij të pestë tashmë në pushtet, kryetari i Kuvendit duhet ta dijë se provat që Shqipëria e meriton statusin e vendit kandidat duhet t’i japë mazhoranca ku ai bën pjesë aktualisht dhe jo drejtuesit e partisë liberale në Holandë apo Sali Berisha që paska firmosur anëtarësimin e Shqipërisë në Konferencën Islamike. Vendimin negativ për shtyrjen e statusit e mbështetën edhe Britania e Madhe, Franca, Danimarka e Gjermania, madje kjo e fundit në mënyrë të prerë, vende që e njohin Shqipërinë shumë më mirë se partia liberale holandeze. E pikërisht prej kësaj njohjeje që kanë, ndihen më të sigurta nëse i kërkojnë edhe 6 muaj provë qeverisë shqiptare.Lideri i LSI, një parti që ka si orientim të saj integrimin në BE, duhet ta dijë gjithashtu se Këshilli i Bashkimit Europian nuk kërkon kohë për të bindur “forcat ekstremiste” në gjirin e tij, por për të bindur veten se mazhoranca e re në Shqipëri është vërtet e angazhuar për shtetin e së drejtës dhe luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar. Prandaj Ilir Meta mund të kishte bërë një diferencë nga kryeministri Edi Rama, i cili në gjithë komentin për shtyrjen e statusit nuk pranoi në asnjë fjali përgjegjësinë e tij, por ia la atë qeverisjes së shkuar dhe problemeve të brendshme në BE. Sipas kryeministrit, statusi u shty sepse vendet e BE “e kanë ende shumë të freskët në kujtesë, qeverisjen e shkuar të ligjeve të shumta dhe të vullnetit të pakët, sidomos në luftën kundër krimit të organizuar e korrupsionit”. Meta nuk mund të pajtohej me një konstatim të tillë jo thjesht si pjesë e rëndësishme e qeverisë së kaluar, por si një politikan që nga përvoja e tij e ka të qartë se gabimet e një qeverie nuk shërbejnë si alibi për çdo dështim të qeverisë pasardhëse. Me të njëjtën logjikë, kreu i LSI do të duhej të distancohej nga deklarata delirante e kryeministrit Rama që i jepte porosi Europës se: “…mbyllja në vetvete e BE-së karshi shpejtësisë së ndryshimit të botës, nuk e bën BE-në as më të forte, as më të sigurt”. Dhe këtë paralajmërim BE-së ia jep… kryeministri i Shqipërisë! Apo kur shtyrjen e statusit e sheh si pasojë “e rrethanave të brendshme politike apo vigjilje elektorale vendesh anëtare, ku nën ndikimin negativ të forcave ekstremiste, problemet me ekonominë, emigracionin apo papunësinë, kthehen artificialisht në pengesë e politikës europiane të zgjerimit”. E kështu, duke ia lënë përgjegjësinë “armikut të brendshëm e të jashtëm”, opozitës dhe forcave ekstremiste në BE, kryeministri Rama nuk jep asnjë garanci për qershorin e vitit të ardhshëm.Prandaj Ilir Meta nuk mund ta presë vendimin në qershor njëlloj si kampionatin botëror të futbollit. Si pjesë e qeverisë së kaluar ai i ka të freskëta pasojat e politikës që topin ua lë të tjerëve dhe nuk merr asnjë përgjegjësi mbi vete. Mazhoranca e djeshme, ndonëse kishte plot detyrime të tjera ndaj statusit të vendit kandidat, bënte me faj Partinë Socialiste për bllokimin e tri ligjeve dhe elementët albanofobë në Bruksel që nuk donin integrimin e Shqipërisë. Kreu i LSI nuk mund të përdorë të njëjtin arsyetim edhe sot, njëlloj si kryeministri, duke bërë me gisht nga Sali Berisha dhe partia liberale holandeze. Është e njëjta strategji e varfër politike që nuk të çon askund e aq më pak në BE. Mazhoranca e sotme duhet të japë provat e saj. Dhe ato nuk janë ndryshimi i ngjyrave, gardhi i kryeministrisë, heqja e fotos së presidentit, shembja e dy pallateve dhe paditë qesharake ndaj ish-zyrtarëve. Ato mund të kënaqin militantët, por nuk mund të bindin kancelaren Merkel se janë dëshmi të luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Në rekordet e shërbimeve të shumë vendeve të BE janë të dhënat për pasuritë e politikanëve shqiptarë, për lidhjet e tyre me individë të kriminalizuar, për përfshirjen në politikë me mjete e mënyra të dyshimta të elementëve kriminalë, për korruptimin politik e financiar të drejtësisë, etj. Në këtë drejtim duhet parë vullneti i mazhorancës së re. Dhe për analogji me rastin Sanader, që po përmendet aq shumë, ish-kryeministri kroat u arrestua kur partia e tij ishte në kulmin e pushtetit, ndaj dhe shërbeu si garanci e fortë për Kroacinë në luftën kundër korrupsionit. Të tilla prova kërkohen edhe për Shqipërinë, prandaj duket një humbje kohe e kotë shqyrtimi i gjendjes politike në vendet e BE apo provokimi i një debati konfliktual me opozitën. Nëse Edi Rama nuk di të bëjë gjë tjetër, të paktën Ilir Meta nuk mund të përsërisë logjikën e qeverisë së tij të shkuar sepse e di përfundimin. BE nuk analizon fjalimet e kryeministrit të Shqipërisë, por veprimet e tij. Në qershor do të gjykohet vetëm për to./Burimi: mapo.al/