Kriza në Ukrainë, Yanukovich i gatshëm të nisë bidedimet me BE

Presidenti Viktor Yanukovich, tha se një delegacion i lartë i Ukrainës do të qëndrojë në Bruksel të mërkurën, për të diskutuar për lidhje më të afërta ndërmjet Ukrainës dhe Bashkimit Evropian.Yanukovich, po ashtu, tha se do të kërkojË nga prokurori i përgjithshëm i këtij vendi që të gjej mënyrë për lirimin e disa demonstruesve, që ishin arrestuar gjatë protestave aktuale.Këto komente ai i bëri sot, pas takimit të krizës me tre ish-kryetarë të Ukrainës, lidhur me protestat që po vazhdojnë, kundër refuzimit të tij që të nënshkruajë marrëveshjen kryesore për afrim me BE-në, muajin e kaluar.Drejt Kievit është nisur edhe Përfaqësuesja e Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri e Bashkimit Europian, Catherine Ashton. Ashton do të zhvillojë bisedime me zyrtarë të qeverisë, drejtuesit e opozitës dhe shoqërisë civile për gjetjen e një zgjidhje për daljen nga kriza politike.Nga ana tjetër, Komisioni Europian deklaroi se oferta e tij për Ukrainën mbetet e vlefshme dhe në tryezën e Kievit për të firmosur kurdoherë, ndërsa vlerësoi se kushtet dhe termat e marrëveshjes nuk mund të rinegociohen më.Komisioneri për zgjerim i Bashkimit Evropian, Stefan Fyle, gjatë fjalimit të sotëm në Parlamentin Evropian në Strasburg, theksoi se është koha që BE-ja të jetë “më tepër strategjike” në politikën e saj drejt Kievit.Fyle është shprehur se nëse BE-ja dëshiron të transformojë Evropën Lindore, duhet të “jetë gati për ta shfrytëzuar instrumentin më përkatës” që ka, e që është pranimi i mundshëm në BE.Të hënën në mbrëmje, forcat speciale të policisë shpërndanë protestuesit dhe hoqën tendat e vendosura prej tyre përballë disa godinave qeveritare, ndërkohë që epiqendra e protestës, ajo në “Sheshin e Pavarësisë” vazhdon ende e paprekur.Protestuesit dhe udhëheqësit e tyre heqin një paralele mes protestës aktuale dhe “Revolucionit të Portokalltë” të 2004-ës. Në fakt protestat janë më të mëdha që Ukraina ka parë që prej asaj kohe. Prej 3 javësh protestuesit kundërshtojnë orientimin drejt Moskës së presidentit Janukoviç dhe kërkojnë menjëherë nënshkrimin e marrëveshjes me Bashkimin Europian.