Kriza në Ukrainë, Janukoviç takime me 3 ish-presidentë dhe Ashton
Për më shumë se tre javë, mijëra njerëz vazhdojnë të qëndrojnë në rrugët e kryeqytetit të Ukrainës, në Kiev, në protestat anti qeveritare. Partia politike e ish-kryeministres ukrainase, Yulia Tymoshenko, thotë se policia speciale bastisi selinë e saj në Kiev.Një zëdhënës i opozitës tha se policia hyri në selinë qëndrore të partisë Atdheu të hënën në mbrëmje, duke thyer dyert dhe konfiskoi pajisjet kompjuterike. Policia e Kievit e mohoi pretendimin e partisë opozitare.Gjatë natës, qindra policë u vendosën nëpër disa pika të kryeqytetit dhe filluan çmontimin e barrikadave të ngritura jashtë disa ndërtesave qeveritare nga protestuesit. Nuk pati njoftime për përleshje gjatë këtij operacioni.Në një deklaratë të publikuar në faqen presidenciale në internet, presidenti Viktor Yanukovych mbështeti një propozim për bisedime me opozitën por nuk propozoi një datë për fillimin e tyre.Presidenti Janukoviç sot do të takohet me tre ish- presidentët e Ukrainës në një përpjekje për të zbutur krizën e shkaktuar nga refuzimi e tij për të nënshkruar një marrëveshje të tregtisë me Bashkimin Evropian në favor të lidhjeve më të ngushta me Rusinë. Preisdenti Yanukovych gjithashtu do të takohet me shefen e politikës së jashtme të BE, Catherine Ashton e cila sot fillon një vizit dy ditore në Ukrainë.Edhe zevendëspresidenti amerikan, Joe Biden u përfshi në çështjen e Ukrainës, ndërsa në një bisedë telefonike me presidentin Yanukovych shprehu shqetësimin e thellë të tij për situatën në Ukrainë dhe për rritjen potenciale të dhunës.