Sequi uron shqiptarët: 100 vjetori të shërbejë si një reflektim për të ardhmen
Shefi i delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, ambasadori Ettore Sequi, ka uruar sot të gjithë shqiptarët me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.Në një deklaratë për shtyp, ambasadori Sequi ka shfrytëzuar këtë mesazh urimi për tu bërë thirrje popullit shqiptar që të festojnë historinë dhe të ardhmen europiane të Shqipërisë."Dëshiroj të përshëndes ngrohtësisht popullin fisnik të Shqipërisë në këtë ngjarje të jashtëzakonshme për vendin e tyre. Ky është një rast i shkëlqyer për Shqipërinë për të festuar historinë dhe të ardhmen e saj. Ky 100-vjetor përfaqëson njëkohësisht një mundësi të rëndësishme për të reflektuar mbi të kaluarën e përbashkët të popullit shqiptar si dhe për sfidat me të cilat përballet vendi në rrugën e tij evropiane. Historia e Shqipërisë dhe e popullit të saj është dëshmi e ëndrrës evropiane që Shqiptarët kanë ushqyer pareshtur. Ndihem krenar të rikujtoj me këtë rast rolin kyç që ka luajtur Bashkimi Evropian në disa nga momentet më vendimtare të historisë moderne të Shqipërisë. Mbi të gjitha, Bashkimi Evropian përfaqëson perspektivën për një të ardhme më të mirë për popullin shqiptar, një të ardhme e cila është rrënjosur në demokraci, shtetin ligjor dhe respektin për të drejtat e njeriut. Këto janë parimet e familjes së BE-së që Shqipëria dëshiron t'i bëjë të vetat. Me këtë qëllim të përbashkët në mendje, më lejoni gjithashtu të rikujtoj miqësinë e vërtetë dhe të përkushtuar ndërmjet popujve të Bashkimit Evropian dhe atij shqiptar.Rroftë Shqipëria, rrofshin shqiptarët!"tha Sequi.