Ukraina “jo” kurimit jashtë të Timoshenkos, Parlamenti rrëzon draftet e propozuara

Parlamenti i Ukrainës nuk arriti të miratojë projektligjet që do të kishin bërë të mundur lirimin e ish-kryeministres së burgosur, Julia Timoshenko. Kjo i jep një goditje të fortë shanseve të kësaj ish-republike sovjetike për t'u integruar në Bashkimin Evropian.Perëndimi e quan të motivuar politikisht dënimin e zonjës Timoshenko me shtatë vjet burgim për shpërdorim detyre dhe nuk ka pranuar të nënshkruajë një marrëveshje historike asocimi në takimin e nivelit të lartë që mbahet në Kiev javën e ardhshme, nëse ajo nuk lirohet.Por deputetët e Partisë së presidentit Viktor Janukoviç nuk votuan në favor të asnjë pre gjashtë projektligjeve që synonin lirimin e zonjës Timoshenko, pavarësisht nga prania e dy të dërguarve të lartë të BE-së, të cilët kanë muaj që po përpiqen për një zgjidhje.Ligjvënësit e opozitës u përgjigjën duke thirrur "Turp, turp" dhe i kërkuan Presidentit Yanukovych ta falte zonjën Timoshenko me dekret presidencial. Votimi i sotëm ishte një mundësi për Ukrainën që ajo të përmbushte kushtin kryesor për nënshkrimin e një marrëveshjeje me Bashkimin Evropian.Dy të dërguarit e lartë të BE-së, ish-presidenti polak Aleksander Kvashnjevski dhe ish-presidenti i Parlamentit Europian Pat Koks, ishin gjithashtu të pranishëm gjatë votimit dhe i bënë thirrje parlamentit për lirimin e zonjës Timoshenko."U bëj thirrje zotërinjve Cox dhe Kwasnewski, ju lutem, ka ardhur koha për sanksione kundër atyre që po e frenojnë integrimin evropian të Ukrainës", tha deputetja e opozitës, Iruna Herashenko, pas dështimit të projektligjeve.Teorikisht Presidenti Janukoviç ka kohë deri para fillimit të takimit të nivelit të lartë më 28 nëntor për të siguruar lirimin e zonjës Timoshenko, ose duke e falur atë ose duke bërë që parlamenti të miratojë ligjin e nevojshëm javën e ardhshme për të përmbushur kështu kushtin kryesor të Bashkimit Evropian.