Hollande: Franca do të vazhdojë sanksionet kundër Iranit

Presidenti francez Francois Hollande ka deklaruar se qeveria e tij do të vazhdojë sanksionet dhe presionin kundër Iranit deri kur të jetë e sigurtë se Teherani ka hequr dorë nga programi bërthamor që dyshohet se ka për qëllim prodhimin e armëve. Deklarata e Presidentit Hollande u bë në Izrael ku ai ndodhet  një vizite tri ditore.Në një ceremoni mirëseardhjeje në aeroport, Presidenti francez tha se Parisi nuk do të tolerojë përhapjen e armëve bërthamore. Në komentet në gjuhën hebraike, zoti Hollande tha “Unë do të jem gjithmonë mik i Izraelit”.Izraeli i ka bërë thirrje Francës dhe pesë fuqive të tjera botërore të mos zbusin sanksionet kundër Iranit, ndërkohë që zhvillohen negociata me qeverinë e Presidentit Hassan Rouhani, i cili erdhi në post në muajin gusht.Udhëheqësit izraelitë e konsiderojnë një Iran të pajisur me armë bërthamore si kërcënim ndaj ekzistencës së vendit të tyre. Teherani ka bërë thirrje disa herë për zhdukjen e shtetit hebraik.