Vriten 40 protestues në Libi, reagon Kryeministri: Ishte protestë paqësore
Të paktën 40 persona kanë gjetur vdekjen dhe 400 të tjerë janë plagosur në Tripoli, pasi grupe milicore hapën zjarr ndaj protestuesve që po marshonin drejt selisë së një grupi paraushtarak për të kërkuar largimin e tij nga kryeqyteti libian.Grupet paraushtarake kanë mbetur në Libi që pas rrëzimit të ish-diktatorit Moammar Gadafi dhe janë një forcë e fuqishme në këtë vend ku vazhdon kaosi.Protestuesit marshuan drejt lagjes Gharghour, ku ndodhet selia e një grupi paraushtarak që erdhi në kryeqytet nga qyteti Misrata dhe ka një prani të fuqishme në Tripoli.Demonstruesit valëvisnin flamuj libianë dhe flamuj të bardhë dhe brohorisnin “Duam ushtri, duam polici” duke iu referuar kërkesave që forca të rregullta ushtarake dhe të rendit të marrin në dorë përgjegjësitë në vend të grupeve paraushtarake.Fillimisht grupet e armatosura qëlluan në ajër për të trembur turmën. Por kur marshimi po vazhdonte, ata filluan të qëllojnë në drejtim të protestuesve.Demonstruesit u shpërndanë, por u kthyen më pas të pajisur me armë për të sulmuar kompleksin ku strehohej grupi paraushtarak.Agjencia e lajmeve Reuters njofton se dhjetëra ushtarë u përpoqën të ndërhyjnë dhe bllokuan rrugët në kryeqytet në përpjekje për të mos lejuar protestues të tjerë t’i bashkoheshin turmës.Në lidhje me ngjarjen e rëndë kryeminisri libian, Ali Zeidan, u bëri thirrje milicëve të largohen menjëherë nga bazat e tyre në Tripoli. Ai tha se protesta ishte paqësore dhe protetsuesve u është dhënë leje nga Ministria e Brendshme.Kryeministri ishte rrëmbyer muajin e kaluar nga një bandë milicësh, por u lirua brenda pak orësh, edhe pse akoma nuk janë zbardhur shkaqet e rrëmbimit.Libia po udhëhiqet nga një qeveri e përkohshme dhe shteti akoma nuk ka një kushtetutë, faktorë që flasin për një qeveri të paqëndrueshme duke mos harruar edhe përplasjet midis bandave kundërshtare islamike.