Pas incidentit me Gruevskin, Ivanov refuzon ftesën e Nishanit për 100 vjetor

Presidenti Gjorge Ivanov refuzon ftesën e kolegut të tij shqiptar Bujar Nishani për të marrë pjesë në ceremoninë solemne të shënimit të 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Shkak janë bërë incidentet e fundit, thonë nga Presidenca e Shkupit, pa dhënë detaje konkrete.Refuzimi i pjesëmarrjes së Ivanovit vjen pas vizitës së një jave më parë të kryeministrit Gruevski në Tiranë, makina e të cilit u sulmua me vezë, ndërsa flamurit shtetëror të Maqedonisë iu vu flaka.Megjithë mungesën e kreut të Forcave të Armatosura të Maqedonisë, përfaqësues të tyre nesër do të marrin pjesë në paradën e forcave të sigurisë së Shqipërisë në kuadër të manifestimit qendror në sheshin e Tiranës.“Jemi të ftuar dhe ne si vend i grupit A5, kartës së Adriatikut dhe vendet anëtare të NATO-s dhe ne do të marrim pjesë në këtë ceremoni. Nesër në aktivitetin kryesore do të jem unë me delegacion nga Ministria e Mbrojtjes dhe oficerë nga Armata e Maqedonisë të cilët do të marrin pjesë në paradën ushtarake në Shqipëri dhe kjo është një sinjal i bashkëpunimit dhe përkrahjes së ndërsjellë mes Shqipërisë dhe Maqedonisë”, tha Fatmir Besimi, Ministër i Mbrojtjes.Në ceremoni do të marrin pjesë 3 oficerë nga ushtria e Maqedonisë, ndërkaq siç njoftoi Besimi në mesin e tyre ka shqiptarë dhe maqedonas.“Simbolika është e madhe pasi ne shqiptarët edhe në Maqedoni jemi popull shtet-formues dhe së bashku me komunitetet e tjera përfaqësojmë këtë shtet dhe nesër jemi atje që të japin përkrahjen zyrtare Shqipërisë”, tha Fatmir Besimi, Ministër i Mbrojtjes.Pjesëmarrja e ushtarëve nga Maqedonia është miratuar me vendim të Qeverisë, ndërkaq sipas ministrit Besimit akti i tillë është në frymën e bashkëpunimit dhe fqinjësisë së mirë, vlera këto të Aleancës së Atlantikut të Veriut.