Zgjedhjet në Kosovë,5 ditë fushatë për balotazhin

Subjektet politike i kanë intensifikuar përgatitjet e tyre për t’u ballafaquar me njëra-tjetrën në raundin e dytë të zgjedhjeve që do të mbahet më 1 dhjetor. Përfaqësuesit e PDK-së, të LDK-së, të AAK-së, të Vetëvendosje!-s dhe të AKR-së e kanë vlerësuar të mjaftueshme kohëzgjatjen pesëditore të fushatës së balotazhit.Nënkryetari i Partisë Demokratike Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka thënë se struktura e kësaj partie është duke punuar për mobilizimin e votës më 1 dhjetor.“PDK-ja pa dyshim se e ka vazhduar punën e vet përgatitore për raundin e dytë të zgjedhjeve që mbahet më 1 dhjetor. Strukturat tona gjithandej Kosovës janë të mobilizuara dhe janë duke punuar ta mobilizojnë secilën votë brenda potencialit në partneritet me qytetarët dhe me partitë e caktuara që kanë mbetur jashtë garës”, ka thënë Krasniqi, duke shtuar se, varësisht nga komuna në komunë, PDK-ja do të realizojë koalicione për balotazh që, do të jenë në funksion të fitoreve të kandidatëve”tha ai.Krasniqi ka thënë se fushata zgjedhore pesëditore do të shërbejë për rikonfirmimin e zotimeve dhe rimobilizimin e qytetarëve.“Sa i përket kohëzgjatjes së fushatës, mendoj se është e mjaftueshme për faktin se 30 ditë të fushatës së raundit të parë kanë qenë mjaft konsumuese në kuptimin e paraqitjes së vizionit dhe të programit të PDK-së. Kështu që, pesë ditë do të shërbejnë për rikonfirmim të zotimeve tona dhe për rimobilizim të qytetarëve për ta mbështetur vizionin tonë”, ka thënë Krasniqi.Edhe nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Haki Rugova, ka thënë se kjo parti është e përgatitur për balotazhin e 1 dhjetorit. Ai ka thënë se fushata jozyrtare ka vazhduar që nga 4 nëntori në komunat ku LDK-ja është në balotazh.“Strukturat janë duke punuar në terren aty ku LDK-ja është në balotazh. Jemi të përgatitur fort dhe do ta vazhdojmë prezantimin e projekteve tona që janë vazhdimësi e fushatës paraprake. Presim që në balotazh të fitojmë shumë komuna të tjera. Fushata zgjedhore nuk është ndal, por në njëfarë forme jozyrtarisht ka vazhduar. Tani edhe pesë ditë fushatë zyrtare për balotazh do të jenë të mjaftueshme”, është shprehur Rugova.Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka ndërmarrë të gjitha masat për të hyrë sa më e fuqishme në raundin e dytë të zgjedhjeve më 1 dhjetor. Kështu ka thënë nënkryetari i këtij subjekti politik, Ahmet Isufi.“AAK-ja është e përgatitur për raundin e dytë të zgjedhjeve. Besojmë se do ta fitojmë këtë garë sepse i kemi ndërmarrë të gjitha masat në mënyrë që fitorja të jetë e sigurt. Mendoj se pesë ditë fushatë janë të mjaftueshme për balotazh. Prandaj, elektorati është i përgatitur të dalë në zgjedhje dhe të votojë për atë që mendon se është kandidati i duhur për kryetar komune”, ka thënë Isufi .