Al-Assad: S`ka arsye se përse s`mund të kandidoj në zgjedhjet e ardhshme

Presidenti sirian, Bashar al-Assad, ka thënë se “faktorët ende nuk janë në vendin e tyre” për bisedimet e paqes, pavarësisht përpjekjeve nga fuqitë botërore për të mbajtur një takim muajin e ardhshëm.Në një intervistë për televizionin e Libanit “Al-Mayadeen”, Assad shtoi gjithashtu se ai dëshiron një tjetër mandat si president dhe se nuk e ka përjashtuar kandidimin e tij për rizgjedhje në 2014-n.“Nuk është përcaktuar koha, ndërkohë që edhe faktorët nuk janë në vendin e tyre, nëse ne duam të kemi sukses”, tha Assad për al-Mayadeen, duke iu referuar iniciativës amerikano-ruse për paqe, të quajtur “Gjeneva 2”.“Cilat forca do të marrin pjesë? Çfarë marrëdhëniesh kanë këto forca me popullin sirian? A përfaqësojnë ata popullin sirian, apo përfaqësojnë shtetet nga të cilat janë nxitur për në konferencë?”, ishin dyshimet e Assad gjatë intervistës.“Ka ende shumë dyshime mbi konferencën... Cili është kuadri i saj?”. Ai akuzoi në mënyrë të përsëritur Koalicionin se po punon nën urdhrat e mbështetësve rajonalë dhe Perëndimore.“Zgjidhja e luftës së Sirisë duhet të jetë një zgjidhje siriane, pavarësisht nëse fuqitë e huaja do ta njohin apo jo atë. Ajo që ka rëndësi është që populli sirian ta njohë atë”, tha Assad.I pyetur nëse do të rikandidonte në zgjedhjet presidenciale, Assad, i cili pasoi babain e tij të ndarë nga jeta në vitin 2000, tha: “Përgjigja ime do të varet nga dy faktorë. E para, është dëshira personale, dhe e dyta, është dëshira e popullit”.“Sa i përket të parës, nuk shoh ndonjë arsye se përse nuk mund të kandidoj në zgjedhjet e ardhshme”.Komentet e tij vijnë teksa Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, i cili ka shtyrë palët për një konferencë paqeje muajin e ardhshëm në Gjenevë, tha se çdo përpjekje e Assad për t’u rizgjedhur do të zgjaste luftën civile të vendit.“Nëse ai mendon se do të zgjidhë problemet duke rikandiduar në zgjedhje, mund t’i them vetëm diçka: kjo luftë nuk do të përfundojë për sa kohë që kjo është çështja për të cilën ai ndodhet në Paris”, tha Kerry.Kerry pritet të takohet sot me opozitën siriane dhe mbështetësit e tyre arabë e perëndimore në Paris.Shtetet e Bashkuara dhe Rusia janë përpjekur të organizojnë konferencën “Gjeneva 2”, e cila u njoftua fillimisht vitin e kaluar, për të arritur një marrëveshje, sipas së cilës Siria pranoi të shkatërronte arsenalin e saj kimik deri në mesin e vitit 2014.Assad ka refuzuar sistematikisht të njohë si legjitime Koalicionin Kombëtar të opozitës, që këmbëngul për largimin e tij nga pushteti, një kërkesë e refuzuar nga regjimi i Sirisë.