Progres-raporti, Ahmeti takime me Volers dhe Orav
Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti sot ka zhvilluar takime të rëndësishme me ambasadorin amerikan në Shkup, Pol Volers, ndërsa paradite takoi edhe ambasadorin e BE-së, Aivo Orav, nga i cili pranoi raportin e progresit të KE-së.Ahmeti dhe Volers kanë pasur një drekë pune, ndërsa përmes një komunikate të lëshuar nga selia e BDI-së, janë dhënë detaje mbi takimin.Kryetari Ahmeti siç thuhet njohtoi Ambasadorin Volers rreth takimeve të nivelit të lartë në kryeqendrat Evropiane, por edhe në institucionet e BE-së, duke shprehur kënaqësinë nga të gjitha takimet e zhvilluara dhe gatishmërisë së bashkëbiseduesve që ta ndihmojnë Maqedoninë.“Por, në mënyrë që miqtë tanë ndërkombëtar në Bruksel dhe në Vashington të na ndihmojnë, ne do të duhet të përmbushim detyrat tona dhe t’ia lehtësojmë punën komunitetit ndërkombëtar”, theksoi Ahmeti. Ai insistoi në përqëndrimin e forcave vendore dhe ndërkombëtare në zgjidhjen e çështjes së emrit si pengesa kryesore dhe më e rëndësishme në rrugën drejt NATOsë dhe BE-së.Ambasadori Amerikan siç nënvizohet ka përsëritur mbështetjen amerikane për perspektivat euroatlantike të Maqedonisë duke nënvizuar nevojën e arritjes së përparimit drejt zgjidhjes së çështjes së emrit, por njëkohësisht edhe të adresimit të rekomandimeve në raportin e progresit në lidhje me reformat në gjyqësor, sundimin e ligjit, luftën kundër korrupcionit, lirinë e mediave, etj.Ndërsa gjatë ditës në selinë e partisë në Tetovë, Ahmeti ka pritur ambasadorin e BE-së Orav, nga i cili ka pranuar raportin e Komisionit për Zgjërim të BE për përparimin e Maqedonisë.Ambasadori Orav nënvizoi rëndësinë e përsëritjes së rekomandimit për fillim të negociatave për anëtarësim në BE si dhe nevojën për plotësim të rekomandimeve para samitit të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian në dhjetor.Kreu i BDI-së Ali Ahmeti e ka cilësuar pozitiv raportin e progresit të Komisionit Europian duke theksuar se ajo çfarë është më e rëndësishme, është fakti që Maqedonia gjendet akoma në agjendën e BE-së për fillimin e bisedimeve.“Ky progres-raport është i mirëpritur me ç’ka tregohet se BE-ja, Brukseli akoma e ka në agjendë dhe përkujdesje vendin tonë. Ndihmën e mëtutjeshme dhe motivimin për të gjitha kategoritë politike me çka të gjithë motivohemi që ne të bëjmë përparim”, deklaroi Ali Ahmeti, Kryetar i BDI-së.Lideri Ahmeti theksoi se Maqedonia duhet të bëjë hapa më seriozë drejt zgjidhjes së çështjes së emrit, sepse ‘Status Quo’-ja nuk e ndihmon vendin t’i afrohet BE-së.“Status Quo-ja nuk e ndihmon zhvillimin e vendit drejt strukturave të Evropës, por duhet një qasje shumë më serioze dhe më e guximshme që të zgjidhet pengesa e vetme. Zgjidhja e çështjes së emrit apo arritja e një kompromisi për t’i tejkaluar të gjitha vështirësitë.Duhet të krijohet një klimë shumë më e mirë në vend, t`iu shpjegohet qytetarëve se arritja e kompromisit nuk është në dëm të vendit por është në dobi të tij”, tha Ali Ahmeti.