Bisedimet në Shtëpinë e Bardhë pa rezultat konkret

Bisedimet e djeshme mes Presidentit Barack Obama dhe Kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve John Boehner për propozimin republikan për të rritur përkohësisht nivelin tavan të borxhit, përfunduan pa ndonjë rezultat konkret.John Boehner dhe 19 republikanë të tjerë të Dhomës së Përfaqësuesve u larguan nga Shtëpia e Bardhë pa bërë komente për gazetarët. Kur u kthyen në Kapitol, udhëheqësit republikanë të Dhomës së Përfaqësuesve zhvilluan në mbledhje. Udhëheqësi i shumicës republikane në Dhomë Eric Cantor e cilësoi si “të dobishëm dhe sqarues” takimin me Presidentin Obama.“Ekipet tona do të vazhdojnë bisedime të mëtejshme sot; ne do të zhvillojmë diskutime të mëtejshme. Presidenti tha se do të konsultohej me zyrtarë të administratës dhe shpresojmë se së shpejti do të identifikojmë mënyrën për të ecur përpara” tha ai.Pasi Cantor bëri komente, Kryetari i Dhomës John Boehner nxori një deklaratë me shkrim ku i cilësoi bisedimet si “të dobishme dhe produktive”. Deklarata shton se të dyja palët ranë dakord që komunikimet të vazhdojnë, duke shtuar se republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve janë të angazhuar për bisedime të vullnetit të mirë.Një deklaratë e Shtëpisë së Bardhë thotë se Presidenti Obama zhvilloi një “takim të mirë” me republikanët. Megjithatë, deklarata thekson se pas bisedimeve për një rrugë të mundshme përpara “ende nuk është arritur një vendim”.Deklarata vazhdon më tej se Presidenti Obama mirëpret përparim të vazhdueshëm me ligjvënës të të dyja krahëve të spektrit politik dhe se synimi i tij mbetet të “garantojmë se paguajmë detyrimet financiare të vendit, të rihapim qeverinë dhe t’i kthehemi punës për rritje ekonomike hapje të vendeve të punës dhe forcimin e klasës së mesme”.Nuk ka pasur sinjale se është arritur ndonjë përparmim për të rihapur qeverinë, e cila qëndron e mbyllur për të 11 ditë, apo për të rritur nivelin tavan të borxhit.Para se të fillonin bisedimet në Shtëpinë e Bardhë, Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve John Boehner dhe udhëheqës të tjerë republikanë njoftuan propozimin e tyre për të zgjatur afatin për nivelin e borxhit deri më 22 nëntor.“Shpresoj se Presidenti do ta shohë propozimin si një mundësi dhe përpjekje e vullnetit të mirë nga ana jonë, që kemi bërë pjesën tonë për atë që na kërkohej në mënyrë që të fillojnë bisedimet”.Presidenti Obama dhe demokratët këmbëngulin se negociata më të gjera do të zhvillohen vetëm pasi të rihapet qeveria, duke thënë se amerikanët nuk duhet të mbahen peng i kërkesave ekstreme politike, si për shembull për ndryshime në ligjin për kujdes shëndetësor. Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Jay Carney tha se Obama mund të nënshkruajë një ligj për rritjen e përkohëshme të nivelit tavan të borxhit, por do të shohë çfarë dokumenti do të paraqesë zoti Boehner në Dhomën e Përfaqësuesve për votë.“Nëse miratohet një projekt-ligj i pastër, ka gjasa që presidenti e firmos. Por të shohim. Po diskutojmë një projekt-ligj që për momentin nuk ekziston dhe nuk është e qartë, bazuar në fjalët e zotit Boehner, se do të paraqitet një projekt-ligj i tillë”.Presidenti u takua edhe me demokratë të Senatit. Udhëheqësi i shumicës demokrate Harry Reid tha se republikanët duhet të lejojnë rihapjen e qeverisë para se të zhvillohen negociata të mëtejshme.Ndërkohë Presidenti Obama pritet të takohet me republikanët e Senatit sot.