Kerry: SHBA mbetet e angazhuar në rivendosjen e demokracisë në Egjipt

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, ka thënë se vendimi i Shteteve të Bashkuara për të zvogëluar ndihmën ndaj Egjiptit nuk do të thotë se Uashingtoni tërhiqet nga angazhimet e tij në këtë vend.Kerry ka thënë se SHBA-ja do të mbetet e angazhuar në rivendosjen e demokracisë në Egjipt dhe do të punojë me udhëheqësit e tij të përkohshëm.Ai i ka bërë këto komente në një konferencë për media në Malajzi.Departamenti amerikan i Shtetit ka ngrirë të mërkurën qindra miliona dollarë ndihma për Egjiptin, shumica prej tyre në asistencën ushtarake.Dërgimi i sistemeve ushtarake në shkallë të gjerë, ashtu sikurse dhe ndihma “cash” ndaj qeverisë së Egjiptit do të ndalen, thuhej në një deklaratë të Departamentit të Shtetit. Aty shtohej se duhej “progres i besueshëm” në vijim, drejt zhvillimit të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.Shqyrtimi ishte nisur që nga gushti, pas grushtit të shtetit dhe ushtrimit të dhunës nga autoritetet kundrejt mbështetësve të presidentit të rrëzuar Mohammed Morsi, ku mbetën qindra vetë të vdekur.“Ne do të ndalim shpërndarjen e sistemeve ushtarake në shkallë të gjerë dhe ndihmave ‘cash’ ndaj qeverisë, në pritje të progresit të besueshëm drejt një qeverie civile gjithëpërfshirëse, demokratike dhe të zgjedhur përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”, tha zëdhënësi i DASH, Jen Psaki.Zyrtarët thonë se ngrirja ka prekur qindra milionë dollarë ndihma. SHBA-të kanë ndalur dërgimin e helikopterëve “Apache”, ashtu sikurse dhe raketave “Harpoon” dhe pjesëve të ndryshme për tanqe, shtuan ata.Njoftimi pritej prej kohësh, pasi dërgimi i pajisjeve ushtarake ishte ndalur, ushtrimet e përbashkëta ushtarake u anuluan dhe ndihmat “cash” ishin bllokuar efektivisht që prej verës.SHBA-të do të vazhdojnë të japin ndihmë shëndetësore dhe arsimore, si dhe parà për të ndihmuar Egjiptin të forcojë sigurinë në gadishullin e trazuar të Sinait. Ngrirja nuk ka për qëllim të jetë e përhershme, shtoi Departamenti i Shtetit.