Obama në OKB: SHBA do të mbrohen me vendosmëri nga terrorizmi
Presidenti Obama tha se Irani duhet të ndërmarrë veprime transparente dhe të verifikueshme për t'u dhënë fund dyshimeve të ndërkombëtare lidhur me programin e tij bërthamor. Në fjalimin që mbajti sot përpara Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, zoti Obama bëri thirrje për "pasoja" lidhur me përdorimin e armëve kimike nga regjimi sirian i Presidentit Asad.Në fjalimin që mbajti përpara Asamblesë së Përgjithshme, Presidenti Barak Obama tha se Shtetet e Bashkuara do të ndërmarrin veprime të drejtpërdrejta, kur është e nevojshme për t'u mbrojtur nga sulmet terroriste.Ai tha se do të përdorë të gjithë elementet e fuqisë amerikane, duke përfshirë forcën ushtarake, për të siguruar interesat amerikane në Lindjen e Mesme.Presidenti Obama kërkoi që përdorimi i armëve kimike në Siri apo gjetkë të mos kalojë pa pasoja. Zoti Obama tha se reagimi botëror lidhur me përdorimin e armëve kimike nga Siria ka qenë tepër i dobët dhe i bëri thirrje Këshillit të Sigurimit të miratojë një rezolutë të detyrueshme për t'u zbatuar mbi bazën e marrëveshjes mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë për të vënë armët e Sirisë nën kontrollin ndërkombëtar për t'i asgjësuar më vonë. Përndryshe, paralajmëroi ai, besueshmëria e botës do të rrezikohej.Në fjalimin e hapjes së asamblesë vjetore të OKB-së, Sekretari i Përgjithshëm, Ban Ki Moon u bëri thirrje udhëheqësve botërorë të ndalin dërgimin e armëve në Siri.Presidenti Obama tha se është në interesin e SHBA ta shohin Lindjen e mesme dhe Afrikën e Veriut në paqe. Por këto, tha ai, nuk mund të arrihen me veprime të njëanshme sidomos me veprime ushtarake të njëanshme. Përpjekjet diplomatike amerikane, tha Presidenti Obama, do të përqendrohen në dy çështje – armët bërthamore të Iranit dhe paqja mes Izraelit dhe palestinezëve.Lidhur me programin bërthamor të Iranit, ai tha se Teherani duhet të ndërmarrë veprime transparente dhe të verifikueshme për t'u dhënë fund dyshimeve të ndërkombëtare lidhur me programin e tij bërthamor.Nëse zgjidhet çështja bërthamore, tha Presidenti Obama, kjo mund të çojë në përmirësimin e marrëdhënieve me Iranin. SHBA parapëlqejnë që çështja të zgjidhet në mënyrë paqësore. Por fjalët për pajtim duhet të shoqërohen me veprime të verifikueshme, tha zoti Obama.Presidenti Obama e mbajti fjalimin disa orë përpara se të fliste presidenti iranianHassan Rouhani, i cili dje u bëri thirrje udhëheqësve botërorë për ta angazhuar Iranin dhe për të zbutur sanksionet e dhimbshme ekonomike kundër vendit të tij.Zyrtarët amerikanë thonë se nuk është planifikuar ndonjë takim mes Presidentit Obama dhe zotit Rouhani gjatë kohës që ata janë në Nju Jork, por nuk e kanë përjashtuar këtë mundësi. Udhëheqësit amerikanë dhe iranianë nuk janë takuar asnjëherë që nga periudha para revolucionit islamik të vitit 1979 që përmbysi shahun e Iranit të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara.