Programi bërthamor, Zarif takon përfaqësuesit e KS të OKB-së

Ministri i Jashtëm i Iranit, Mohammad Javad Zarif, do të takojë në Nju Jork përfaqësuesit e anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.Lajmin e ka bërë të ditur shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, e cila ka thënë se takimi pritet të zhvillohet më 26 shtator, në margjina të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.Takimi, i planifikuar për të enjten do të jetë i nivelit më të lartë diplomatik mes Uashingtonit dhe Teheranit në të paktën gjashtë vjet. Të dy vendet i prenë marrëdhëniet mes tyre tri dekada më parë. Bisedimet pritet të përqendrohen në programin bërthamor të Iranit.Presidenti iranian, Hasan Rohani, ka njoftuar më 22 shtator se Zarif do të kryesojë delegacionin e Iranit në bisedimet ndërkombëtare për çështjet bërthamore.Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera akuzojnë Iranin se bën përpjekje të zhvillojë armë atomike, ndërsa Republika Islamike thotë se programi i saj ka qëllime krejtësisht paqësore.Këshilli i Sigurimit i OKB-së ka miratuar katër raunde sanksionesh kundër Iranit për shkak të kontestit bërthamor.Rohani do të udhëtojë në Nju Jork për Asamblenë e Përgjithshme, në të cilën ka thënë se do të paraqesë “fytyrën e vërtetë të Iranit”.