Rusi, aktivistët e Greenpeace nën akuzë

Prokurorët rusë kanë akuzuar rreth 30 aktivistë të Greenpeace për pirateri dhe kanë deklaruar se do t’i proçedojnë të gjithë ata për tentativë për të hipur në bordin e një platforme nafte në Arktik.Komiteti Hetimor Rus, organ i ngritur sipas modelit të FBI-së amerikane, do të marrë në pyetje aktivistët, mes të cilëve gjashtë shtetas britanikë. Anija e tyre, “Arctic Sunrise”, është dërguar për ankorim në portin e Murmanskut.Zëdhënësi i Komitetit, Vladimir Markin deklaroi se të gjithë ata që sulmuan platformën, pavarësisht kombësisë, do të hetohen dhe proçedohen penalisht.30 aktivistët e Greenpeace u ndaluan katër ditë më parë nën kërcënimin e armëve nga forcat ruse të sigurisë. Një prej tyre i tha BBC se rreth 15 persona të armatosur dhe të maskuar sekuestruan mjetin e tyre lundrues në Detin Barents.Ndalimi i aktivistëve erdhi një ditë pasi ata u përpoqën të ndalonin shpimet e një platforme naftënxjerrëse ruse në ndërtim. Sipas grupit të gjelbërt, nxjerrja e naftës nga kjo platformë kërcënon një ekosistem krejt unik dhe delikat.Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov pati akuzuar më parë grupimin për sjellje “agresive dhe provokuese”, në dëm të interesave ekonomikë të Rusisë.Autoritetet ruse lajmëruan se mjeti lundrues i Greenpeace u ndalua pasi nuk iu bind paralajmërimeve për të ndaluar, të cilat përfshinë edhe edhe të shtëna boshe.