Vijon pengmarrja në Kenia, 68 viktima

Të shtëna me armë zjarri dhe shpërthime të fuqishme janë dëgjuar në qendrën tregtare në Nairobi, ku militantët besohet se po mbajnë disa pengje.Gjashtëdhjetë e tetë persona janë vrarë dhe më shumë se 170 janë plagosur që nga sulmi i së shtunës në kryeqytetin e Kenias.  15 sulmuesit  mendohen se janë nga lëvizja Al- Shabab. Një burim i paidentifikuar i sigurisë në Kenia i tha agjencisë së lajmeve AFP se ushtria ishte duke zhvilluar një sulm.Ushtria e Kenias përmes rrjetit social, Tëitter ka thënë se është duke parë të gjitha mundësitë për t'i dhënë fund ngjarjes sa më shpejtë që të jetë e mundur.Autoritetet kanë theksuar se është një operacion delikat, pasi  shpëtimi i pengjeve është përparësia kryesore e tyre. Zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes në Kenia, Col Cyrus Oguna, theksoi se në qendrën tregtare kanë mbetur shumë pak pengje sepse shumica janë shpëtuar, por shtoi se sa më shumë trupat hyjnë në godinë, aq më shumë mundësi ka që të ketë viktima të tjera. Ndërsa presidenti i vendit, Uhuru Kenyatta, deklaroi në një konferencë shtypi të dielën se kombi afrikan do të dalë më i fortë nga kjo tragjedi."Kriminelët janë bllokuar brenda në qendrën tregtare. Profesionistët që gjenden në vendngjarje do i neutralizojnë keqbërësit me siguri", deklaroi Kenyatta.Mes viktimave është konfirmuar se ka francezë, hollandezë, afrikano-jugorë, indianë, kanadezë dhe kinezë. Al-Shabab ka bërë të ditur se ka ndërmarrë këtë akt terrorist në kundërpërgjigje të operacioneve ushtarake keniane në Somali, ku ndodhen rreth 4000 trupa të cilët luftojnë militantët.