Protestat në Turqi kundër dhunës së policisë

Stambolli është përsëri dëshmitar i protestave anti-qeveritare. Trazirat shpërthyen javën e kaluar, pas vdekjes së Atakan Ahmet-it, një demonstrues në qytetin provincial të Hatajit pranë kufirit sirian. Rrethanat e vdekjes së 22-vjeçarit janë të paqarta, me policinë që pretendon se ai ra nga një ndërtesë, por demonstruesit pretendojnë se ai ishte goditur nga një bombël gazi.Mijëra njerëz u mblodhën në pika të ndryshme të Stambollit për të protestuar. Protestat që ishin kryesisht paqësore, u shpërndanë nga policia duke përdorur pompat e ujit dhe të gazin lotsjellës. Demonstruesit u kundërpërgjigjën duke ngritur barrikada dhe ndezur zjarre në rrugë për të eliminuar efektet e gazit. Forcat e sigurisë dhe të qeverisë kanë deklaruar se protestat e paligjshme do të përballen me një përgjigje të fortë. Por ndërhyrja e autoriteteve ka çuar në protesta të mëtejshme kundër taktikave të policisë.Një protestë e fuqishme ka ndodhur në lagjen Kadikoj të Stambollit, lagje e cila është qendër e opozitës dhe ka qënë epiqendra e protestave të fundit.Demonstrata e së dielës përfundoi në dhunë, me policinë që përdori pompat e ujit, gazin lotsjellës dhe plumba gome. Mediat lokale njoftuan se disa njerëz u plagosën.Trazirat e fundit pasojnë protestat anti-qeveritare në të gjithë vendin në fillim të verës, kundër asaj që demonstruesit thonë se është stili gjithnjë e më autoritar i qeverisjes së kryeministrit Erdogan. Ndërsa këto nuk janë në shkallën e protestave të mëparshme, zoti Erdogan ka premtuar një përgjigje të fortë, duke pretenduar se qeveria e tij është viktimë e një komploti.Këta njerëz që e dinë se nuk mund të fitojnë në kutitë e votimit, thotë zoti Erdogan, i nxjerrin shpresat e tyre në rrugë. Ne nuk do të lejojmë demokracinë të ndërpritet, ka theksuar ai, duke shtuar: "Rinia jonë do ta mbrojë demokracinë dhe nuk do të lejojë një tjetër 12 shtator."12 shtatori është data e grushtit të shtetit në Turqi në vitin 1980, kur ushtria ndërhyri pasi disa vitesh dhune politike.Por me kryeministrin që i sheh protestuesit si një kërcënim ndaj demokracisë dhe jo si njerëz që ushtrojnë të drejtat e tyre demokratike, vëzhguesit paralajmërojnë se cikli i tanishëm i protestave dhe shtypjet nga forcat e policisë ka të ngjarë të vazhdojë. Një skenar i tillë mund të vazhdojë të luhet në kontekstin e politikave elektorale, ndërsa Turqia do të mbajë zgjedhje lokale dhe presidenciale vitin e ardhshëm.