Venizelos pret Ahmetin në Athinë: Të zgjidhim kontestin e emrit
Çështja e emrit ka qenë një nga temat kyçe në takimin sot në Athinë midis kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti dhe ministrit të jashtëm dhe zëvendëskryeministrit grek, Evangelos Venizelos.
"Ky ishte takim shumë i rëndësishëm dhe në mënyrë miqësore kemi folur për politikat rajonale, për investimet, si dhe për integrimin e vendit tonë dhe mbarë rajonit të Ballkanit Perëndimor në strukturat euroatlantike. Republika e Greqisë edhe më tej do të jetë e dobishme dhe do t'i ndihmojë rajonit të bëhet pjesë e NATO-s dhe BE-së. Njëherësh biseduam edhe për ndërtimin e marrëdhënieve të fuqishme me fqinjët, si dhe për nevojën e bashkëpunimit në të gjitha fushat politike dhe ekonomike", deklaroi Ahmeti pas takimit.Ai njoftoi se e ka iniciuar çështjen e emrit të Maqedonisë pasi që vendi ynë ka nevojë sa më shpejtë që është e mundur të bëhet pjesë e NATO-s dhe BE-së."Kjo është temë e cila kërkon angazhim nga Kombet e Bashkuara, veçanërisht nga ndërmjetësuesi Methju Nimic i cili së shpejti do ta vizitojë rajonin", theksoi Ahmeti dhe shtoi se me Venizelosin nuk kanë biseduar për propozime konkrete.Lideri i BDI-së vlerëson se Nimic është personi që duhet ta menaxhojë problemin i cili i pengon Maqedonisë për t'u bërë anëtare ose të marrë ftesë për anëtarësimin në NATO, dhe të fillojë negociata për anëtarësimin në BE."Do të presim dhe do të shohim se si do të zhvillohet situata pas vizitës së Nimicit. Mbetemi optimistë se Nimici vjen me mision", tha Ahmeti.Në lidhje me agjendën e kryesimit grek me BE-në, në të cilën zgjerimi nuk është në mesin e prioriteteve, Ahmeti deklaroi se Greqia është e interesuar që Maqedonia të arrijë progres në eurointegrimet."Greqia është e interesuar vendi ynë t'i plotësojë standardet të cilat do ta afrojnë drejt BE-së. Pa dallim nëse është në fushën e gjyqësisë apo lirinë e mediave ose në demokracinë e brendshme", shtoi lideri i BDI-së.Ai edhe kësaj radhe përsëriti se të gjitha temat shtetërore të cilat kërkojnë zgjidhje janë pjesë e përgjegjësive të BDI-së si partner i koalicionit në Qeverinë e Maqedonisë."BDI-ja ka platformën e saj politike si për politikat e brendshme ashtu edhe për ato të jashtme. Por asnjëherë nuk vepron dhe nuk punon pa u informuar partneri i koalicionit", theksoi Ali Ahmeti.