Kriza në Siri, Thaçi pro ndërhyrjes ushtarake nga ndërkombëtarët

Lidhur me situatën në Siri ka reaguar edhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ka thënë se është i domosdoshëm intervenimi ushtarak ndërkombëtar në mbështetje të popullit sirian për liri.Në një deklaratë për media, kryeministri Thaçi, thotë se lufta në Siri, ku vetëm ditëve të fundit mijëra persona humbën jetën, në mesin e të cilëve qindra fëmijë, tregon më së miri nevojën e një intervenimi ndërkombëtar në këtë shtet.“Ndonëse janë dy raste të ndryshme Kosova dhe Siria, intervenimi në raste të tilla humanitare tregohen të jenë zgjidhje e vetme , e drejtë, humane, në mbështetje të demokracisë botërore”, thuhet në deklaratën e Thaçit.“Intervenimi për të ndalë sulmet e regjimit të Bashar al-Assad ndaj popullatës së tij është i domosdoshëm, në mënyrë që të mbështetet populli sirian në përpjekjet e tyre për liri, për rend demokratik, për sundim të ligjit, për të drejtat e njeriut”, thuhet në deklaratë.