Kosovë, gjyqësori i gatshëm të gjykojë krimet e luftës
Sistemi i drejtësisë në vend do të përballet me një sfidë të madhe që prej përfundimit të luftës, e sidomos pas shpalljes së pavarësisë. Tani kur përfundimi i misionit të EULEX-it në Kosovë po i vjen fundi, kompetencat ekzekutive për të gjitha rastet do t’i mbetën gjyqësorit vendorë shihen si sfiduese për gjyqësorin vendor. Sfida për të cilën mendojnë të gjithë është krijimi i gjykatës për hetimin dhe gjykimin e krimeve të luftës. Deri në vitin 2014, drejtësia do të duhet të përgatisë tërë terrenin për krijimin e kësaj gjykate.Drejtuesit e sistemit të drejtësisë në vend vlerësojnë se sistemi i drejtësisë në Kosovë ka kapacitete për ta themeluar dhe për t’i hetuar e gjykuar krimet e luftës. Kuvendi i Kosovës në sesionin pranveror ka mbajtur një seancë në të cilën ka miratuar një rezolutë me të cilën i kërkohet qeverisë që deri në shtator të këtij viti të përgatis terrenin ligjor për krijimin e gjykatës për krime lufte, dhe deri në qershor të vitit 2014 të filloj punën ajo, kur edhe i skadon mandati misionit të EULEX-it.Enver Peci, Kryetar i Këshillit Gjyqësor të Kosovës ka thënë se janë në koordinim me EULEX-in dhe bashkërisht me gjyqtarët vendor e kanë paraparë se duhet të përgatiten që të përballën me raste më të rënda. Peci ka pohuar se gjyqtari në momentin e emërimit nuk mund të thotë se këtë rast do ta përfundoj e këtë jo.“E di që ka me qenë shumë problem gjykimi i krimeve të luftës, është një shqetësim i gjyqtarëve vendor në kuptimin e asaj se për momentin ne nuk kemi marrëdhënie diplomatike me Serbinë dhe kriminelët e dyshuar të serbëve nuk gjenden ne Kosovë dhe gjyqtarët vendor duhet me u marr me krimet që i kanë bërë shqiptaret në atë kohë. Kjo ka me paraqit një sfidë shumë të madhe por unë shpresoj se dal nga dal do të relaksohen marrëdhëniet dhe së shpejti të bëhet marrëveshja për ekstradimin e atyre që kanë kryer vepra penale në Kosovë dhe të gjykohen të gjithë ata që dyshohet se kanë kryer vepra penale”, ka thënë Peci për Kosovapress.Megjithatë, mendohet se institucionet nuk do të themelojnë gjykatë për krime lufte, por dhomë të posaçme për vepra penale që merret, jo vetëm me krimet e luftës, por me krime më serioze, si korrupsioni i nivelit të lartë, krimin e organizuar dhe veprat që janë kompetence ekskluzive tani për prokurorinë speciale.Edhe, ministria e Drejtësisë tanimë ka filluar me përgatitjet për themelimin e departamentit në kuadër të Gjykatës Themelore të Prishtinës, e cila do të merrej me hetimin dhe gjykimin e krimeve të luftës.Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ka thënë se Kosova ka kapacitetet e saja të ndërtoj sistemin e plotë juridik në bazë ta asaj çka kanë pasur edhe më herët me UNMIK-un dhe tani me EULEX-in.“Pyetja e juaj a ka kapacitete, po Kosova ka gjyqtarë, prokurorë të aftë profesional edhe me guxim edhe intelektual edhe njerëzor që të merren me raste të tilla. Pse po e themi këtë, sepse në Kosovë nuk e kemi asnjë sulm ndaj ndonjë gjyqtari apo prokurori dhe kjo është pozitive, po ashtu Kosova e ka një ambient pozitiv sa i përket drejtësisë. Nuk e kemi asnjë rast kur subjektet politike reagojnë ndaj vendimeve juridike. Ne kemi pranuar vendime gjyqësorit edhe kur nuk kanë qenë të këndshme edhe kur kanë qenë të bëjnë me krimet e luftës që për ne, perceptimi për krimet e luftës nuk është i njëjtë që mund të bëhet për ndjekjet tjera, dhe krimet e luftës janë një perceptim krejt tjetër. Në konsiderojmë që ata njerëz kanë bërë punë luftë mbrojtëse dhe them se e kanë fituar të drejtën me drejtësi. Lufta jonë ka qenë e drejtë dhe drejtësia është përdorur gjatë kohës së luftës”, ka thënë Kuçi.Megjithatë, për ta themeluar këtë gjykatë, apo departament, fillimisht duhet të bëhen ndryshimet ligjore. E, në këtë departament, sipas Kuçit, duhet të jenë pesë fusha, e para ka të bëjë me korrupsionin e nivelit të lartë, e dyta me krimin e organizuar, e treta me shpëlarjen e parave, e katërta me terrorizmin dhe e pesta me krimet e luftës.Se, Kosova mund t’i hetoj dhe gjykoj krimet e luftës e theksojnë edhe ish prokurorë të cilët kanë qenë kyç në themelimin e Prokurorisë Speciale të Kosovës. Ish kryeprokurori i Kosovës, Hilmi Zhitia thotë se ka kapacitete sistemi gjyqësor i Kosovës, që t’i hetoj dhe gjykoj krimet e luftës duke bërë zgjedhjen adekuate të juristëve që janë të dalluar, nga tërë territori i Kosovës.“Sa i përket formimit të një dhome të veçantë për krime luftës, krimit të organizuar, përpara ka qenë edhe kjo sepse kur është themeluar Prokuroria Speciale është dashur të themelohet edhe një gjykatë speciale për të njëjtat problematika, por nuk i di arsyet pse s’u bë, por ne e themeluam dhe ajo ekziston sot. Unë mendoj që mund të formohet një dhomë e veçantë edhe për shkak të financave edhe për shkak të kuadrove. Dhe kjo dhomë e veçantë mund të funksionoj edhe me një kornizë ta quaj nënligjore ku do të zgjidhen disa gjyqtarë, 6 apo 9. Mendoj se këta janë të mjaftueshëm dhe do të formonin një dhomë dhe ata gjyqtarë do të vijnë nga terë territori i Kosovës. Ka gjyqtarë individual me integritet të lartë, profesionist në Pejë, Gjilan, Mitrovicë, në Prishtinë mund të gjendet ndonjë i mirë në Gjykatën e Apelit dhe 6 juristë Kosova duhet t’i ketë dhe të formohet një dhomë e cila i bartë këto sjellje apo verdikte që ju po flitni”, ka thënë Zhitia për Kosovapress.Ai thotë se nëse dikush është orientuar të jetë gjyqtar apo prokuror atëherë duhet t’i plotësoj tri kushte, e para të jetë i guximshëm, të ketë integritet moral dhe profesional.Mirëpo, në anën tjetër më skeptike rreth kësaj shprehet Drejtoresha e Fondit për të Drejtat Humanitar, Natasha Kandiq. Ajo thotë se ka frikë se në Kosovë do të jetë e vështirë duke qenë se shumë kohë është humbur për shkak të mos inkuadrimit të gjykatësve dhe prokurorëve vendorë. Sipas, Kandiqit, nevojiten disa vite që gjykatësit dhe prokurorët vendorë të marrin guximin për këto raste dhe për t’u liruar nga frika në qoftë se akuzojnë apo gjykojnë dikë që ishte luftëtar apo shihet si një hero e ndaj atyre ka dëshmi që kanë kryer ndonjë krim.“Mendoj se është thelbësore që të shfrytëzohen njohuritë e gjyqtarëve dhe prokurorëve të EULEX-it në përgatitjen e gjykatësve dhe prokurorëve vendor që të marrin pjesë në mënyrë të barabartë në rastet e gjykimeve për krime të luftës, por nuk e shoh që është reale për shembull që për një vit gjyqësori vendas të merr përsipër plotësisht gjykimet për krime lufte. Mendoj se është shumë herët për këtë, e bile edhe ideja për krijimin e një departamenti të posaçëm për krimet e luftës, duhet të merr parasysh pjesëmarrjen e gjykatësve dhe prokurorëve ndërkombëtarë, por në njëfarë mënyrë tjetër, që rastet duhen të kryesohen nga prokuroret dhe gjykatës vendas ndërsa ndërkombëtarët të jenë në cilësinë e këshilltareve dy, tre apo katër vjet për t’i ndihmuar në zhvillimin e kapacitetit profesional”, ka thënë Kandiç.Por, ajo mendon se politikanët duhen krijuar një klimë në të cilën krimi të cilësohet si krim pavarësisht kush e ka kryer dhe të ketë mbështetje politike që personi që e ka kryer krimin të gjykohet. Kandiq thotë se edhe në shtetet tjera post-jugosllave është treguar se gjykimet për krime të luftës janë duke u zhvilluar nën presionin e bashkësisë ndërkombëtare dhe nën ndikimin e politikanëve vendor. Sipas saj, pas luftës, pas gjithë atyre krimeve të kryera është vështirë të organizohet një gjykim i drejtë dhe objektiv.Ndërsa, javë me parë Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Aleksandar Vulin ka kërkuar nga autoritetet në Kosovë që t’ua japin një listë me emrat e serbëve që kanë kryer krime në Kosovë gjatë luftës. Por, Natasha Kandiq dhe Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi thonë se institucionet e Kosovës nuk kanë asnjë listë me emrat të serbëve që kanë kryer krime lufte. Kandiq mendon që as institucionet e Kosovës dhe as EULEX-i nuk kanë ndonjë listë të kryerësve të krimeve. Sipas saj, Prokuroria e EULEX-it merret me disa raste të veçanta dhe ka të dhëna për autorë të caktuar të krimeve, madje këtu nuk ekziston as dokumentacioni që është udhëhequr dikur nga UNMIK-u.Ndërsa, Ministri Kuçi, thotë se pas një deklarate të tillë që nuk ka pasur për qëllim forcimin e drejtësisë në Kosovë, por me shumë t’i frikësoj qytetarët serb në veri, duke u thënë, se ju do të integroheni atje, por ata kanë një listë prej tre mijë vetave, dhe do t’ju arrestojnë.“Kosova bënë jo ndjekje kolektive për raste penale, por bënë ndjekje individuale, për ata që kanë evidenca sot apo pas dhjetë viteve, apo 50 viteve sepse krimet e luftës nuk vjetrohen do të ketë ndjekje të tillë. Në këtë drejtim nuk i japin garanca asnjë qytetari serb nëse ka bërë krime se nuk do të ndiqet sikurse që s’kemi një listë që do t’i ndjekim gjithë serbët. Do të thotë logjika jonë nuk është ndjekje kolektive apo etnike por sipas veprave penale që kanë bërë ata”, ka thënë Kuçi.Ai ka shtuar se pikërisht çështja e besimit të qytetarëve serb ndaj kësaj gjykate për krime lufte kanë qenë edhe debatet e shumta që ka pasur ai në Bruksel që ka ngritur dilema dhe është shtyrë themelimi i kësaj gjykate pikërisht për këtë.