Opozita dhe mazhoranca harmonizojnë qëndrimet rreth ‘24 dhjetorit’

VMRO DPMNE dhe LSDM janë shumë afër zgjidhjes finale për Raportin e Komisionit Hetimor. Kryetari në dorëheqje i organit hetimor Borçe Davitkovski, tha se akoma ruan optimizmin se palët do të kapërcejnë dallimet nesër dhe si rrjedhojë, raporti do të firmoset të premten, 23 gusht. Davitkovski i cili takoi ndaras palët, fillimisht përfaqësuesit e LSDM-së, ndërkaq më vonë ekspertët e VMRO DPMNE-së, për nesër paralajmëroi takim të përbashkët.“Mendoj se jemi shumë afër zgjidhjes së përbashkët dhe eventualisht të premten do të ju thërrasim në firmosjen e Raportit. Akoma jam optimist. Nesër do të punojmë në përbërje të plotë, do t’ua prezantoj punën e sotme të dy palëve dhe nëse arrijmë pajtimin do të përfundojë puna” , deklaroi Borçe Davitkovski, kryetari në dorëheqje i Komisionit hetimor.Në takimet e sotme të cilët zgjatën rreth një orë e gjysmë mori pjesë edhe eksperti i huaj Petre Vanhausen, ndërkaq ekspertët partiak të VMRO-së ishin të përforcuar edhe nga shefi i kabinetit të kryeministrit Martin Protuger, ndërkaq të LSDM-së nga nënkryetarja e partisë Radmilla Sheqerinska. Përfaqësuesit e të dyja partive nuk u prononcuan për media rreth rrjedhës së takimeve të sotme. Megjithatë zëdhënësi i LSDM-së Petre Shilegov,tha se shpreson që procesi të kurorëzohet me zgjidhje. Ai nga ana tjetër nuk deshi të komentojë se çfarë do të ndërmarrë LSDM-ja nëse nuk pranohet kërkesa e tyre për Shkelje të Kushtetutës gjatë ngjarjeve të 24 dhjetorit.“Mandati, aktivitet e Komisionit janë të përcaktuara me Marrëveshjen e 1 marsit. Një nga çështjet me interes ishte vërtetimi i ligjshmërisë dhe Kushtetutshmërisë së veprimeve të Institucioneve në ngjarjet e 24 dhjetorit. Megjithatë do t’u përmbahemi komenteve se çfarë do të ndodhte nëse ndodhte, do të presim që Komisioni të përfundojë punën e tij”, tha Petre Shilegov, zëdhënës i LSDM-së.Seancat marton të Komisionit do të vazhdojnë dhe nesër në përbërje të plotë, ndërkaq afati i fundit për arritjen e zgjidhjes, e cila u caktua në takimin Gruevski-Zaev dy ditë më parë, është 23 gushti. Takimi i djeshëm i cili zgjati rreth 4 orë, në format të ri, pra me përfshirjen në mënyrë të drejtë për drejtë edhe të dy liderëve, kreut të VMRO-së Nikolla Gruevskit, dhe LSDM-së Zoran Zaev rezultoi pa zgjidhje konkrete.Nëse VMRO, e cila kërkon përgjegjësi penale për ngjarjet brenda dhe jashtë parlamentit, dhe LSDM e cila kërkon konstatim të shkeljes së Kushtetutës në ngjarjet e ‘së hënës së zezë’, gjejnë gjuhë të përbashkët, procesi do të përfundojë me firmosjen e Raportit të Komisionit hetimor, i cili filloi me punë në qershor, në kuadër të marrëveshjes politike të 1 marsit.