SHBA-Rusi, qëndrime të ndryshme për Kosovën dhe përmbylljen e UNMIK-ut

Tensionet në rritje në marrëdhëniet midis SHBA-së dhe Rusisë e shtynë presidentin amerikan, Barack Obama që të anulojë takimin kokë më kokë të planifikuar për muajin në shtator në Moskë me presidentin Vlladimir Putin.Rusia këtë vit mban kryesinë e G20, vendeve më të zhvilluara të botës, që do të mbajnë samitin vjetor në St. Petersburg më 5-6 shtator, e që fokusohet në çështjet ekonomike dhe financiare botërore.Në një konferencë për shtyp ditë më parë, Obama mbrojti vendimin e tij për një pauzë në marrëdhëniet midis Washingtonit dhe Moskës, sepse, siç tha, nuk janë shënuar ‘përparime në çështje të rëndësishme’.Rikthimi i Putinit në postin presidencial sikur i ka ftohur marrëdhëniet që nganjëherë krahasohen me periudhën e Luftës së Ftohtë. Kësaj ftohje i kanë kontribuuar edhe dallimet që kanë rreth luftës civile në Siri, pastaj dhënia e azilit rus ish-kontraktorit të zbulimit amerikan, Edward Snowden.Amerika dhe Rusia kanë pasur dallime fundamentale prej afro dy dekadash edhe rreth Kosovës dhe rrugëtimit të saj drejt lirisë dhe pavarësisë. SHBA-ja bashkë me aleatët perëndimorë ‘nxorën çështjen e Kosovës’ nga dhëmbëzorët e Kombeve të Bashkuara, duke e njohur realitetin e zhvillimeve që kulmuan me njohjen e pavarësisë së saj.Rusia si vend anëtar i përhershëm i OKB-së, në anën tjetër, si një mentor dhe aleat i Serbisë, vazhdon të mbajë peng Kosovën brenda rezolutës 1244 dhe përmbylljen e vonuar të Misionit të UNMIK-ut, që është bërë pengesë edhe e anëtarësimit të Kosovës në Kombet e Bashkuara.