Zgjedhjet lokale, "Kuvendi i Përkohshëm i Kosovës": Të papranueshme për serbët veriut
Deputetët e të ashtuquajturit “kuvend i përkohshëm i krahinës autonome të Kosovës e Metohisë", në mbledhjen e sotme, kanë konstatuar se zgjedhjet lokale në Kosovë janë të papranueshme për ta.Siç raportojnë mediat serbe, ata kanë thënë se këto zgjedhje janë në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e Serbisë, si dhe me Rezolutën 1244.Në vendimin që është arritur njëzëri, thuhet se "zgjedhjet lokale të 3 nëntorit, që janë emëruar nga presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, janë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës", diçka që për ta është e papranueshme.Pjesëmarrësit janë ankuar në mosshqyrtimin e ankesës së tyre në Gjykatën Kushtetuese të Serbisë për Marrëveshjen e Brukselit dhe kanë kërkuar deklarimin sa më të shpejtë saj për të.Javën që shkoi, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, zyrtarisht në emër të Qeverisë ftoi serbët që të marrin pjesë në zgjedhjet e 3 nëntorit.Ndërsa të martën, më 13 gusht, kryeministri Thaçi theksoi rëndësinë e pjesëmarrjes së serbëve në zgjedhjet e 3 nëntorit."Pjesëmarrja sa më e madhe e serbëve në veri i jep një kuptim edhe më të fuqishëm gjithë këtij procesi dhe si kryeministër i vendit dhe si Qeveri e Kosovës, i sigurojmë dhe garantojmë edhe serbët në veri se do të jemi në shërbim të tyre, do të jemi në krye të përgjegjësive për të ndërtuar jetën e re, jetën e përbashkët në Kosovën si atdhe të përbashkët”, deklaroi Thaçi.