Tetovë, përkujtohet Arbën Xhaferri
Tetova ka përkujtuar një vjetorin e ndarjes nga jeta të kryetarit të parë të PDSH-së, Arbën Xhaferri. Në akademinë përkujtimore u fol për personalitetin dhe veprimtarin e Xhaferrit, si një publicist, ideolog, politikan dhe familjar.Kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi në fjalimin e tij theksoi se Arbën Xhaferri ishte shtylla e lëvizjes shqiptare në Maqedoni që u angazhua rreth kauzës së drejtë kombëtare me emblemën e PDSH-së.Kryetari i nderit i Partisë Demokratike Shqiptare, Arbën Xhaferri u lind në Tetovë në vitin 1948. Ai do të mbahet mend si një nga mendimtarët që lexoi drejt kalendarin në të cilën jetonte dhe atë kalendar e shënoi me veprimtarinë dhe mendimin e tij që zbërthente dhe u jepte kahë proçeseve në mbarë shoqërinë shqiptare.Ai ia doli të kontribuojë për faktorizimin politik të shqiptarëve të Maqedonisë, por edhe ta përcaktojë vendin e tyre si faktor i rëndësishëm për mbarë shqiptarinë.Duke vepruar në një Maqedoni ku përballë kishte arrogancën e politikës maqedonase, e pas vetes inferioritetin e politikës shqiptare, Xhaferri duhej të ecte drejt së ardhmes si ai që duhet të vinte baraspeshë mes ëndrrave iracionale maqedonase dhe ambicieve shumë tokësore të shqiptarëve.