VIDEO/ Gonxhja: Mbështetja për programet e kulturës dhe turizmit ka arritur në rreth 4 milionë euro

Në prezantimin e Strategjisë Kombëtare për Kulturën 2026-2030, ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, renditi arritjet në këtë fushë, gjatë dekadës së fundit.

Ministri e cilësoi kulturën si një nga shtyllat më të qëndrueshme mbi të cilat ngrihet zhvillimi i Shqipërisë, si një energji e brendshme që përshkon jetën e përditshme.

“Sot, pas vitesh punë intensive, sektori kulturor në Shqipëri po përjeton një transformim rrënjësor. Dhe këtë ndryshim nuk e dëshmojmë vetëm me vullnet politik, por me bilance të prekshme e të matshme”, tha Gonxhja duke renditur shifrat mbi arritjet në kulturë.

Në fushën e trashëgimisë, investimet për restaurimin dhe konservimin janë rritur me mbi 300% vetëm në dy vitet e fundit. Në të gjithë vendin janë realizuar 650 ndërhyrjesh përgjatë dekadës së fundit në objekte kulti, kala, site arkeologjikë dhe banesa karakteristike.

Nga 2013 deri në 2025 Shqipëria arriti të regjistrojë një rritje mbresëlënëse prej 555% më shumë vizitorë të huaj, duke e zhvendosur përfundimisht peshën e ofertës kombëtare drejt një turizmi kulturor të qëndrueshëm dhe me vlerë të lartë.

Mbështetja për programet e kulturës dhe turizmit ka arritur në rreth 4 milionë euro, për mbi 250 aplikantë përfitues. Vetëm përgjatë vitit 2025, janë realizuar 1,162 shfaqje dhe 120 premiera, 478 shfaqje më shumë se një dekadë më parë.

Ministri Gonxhja përmend edhe programin “Javët Kulturore Ndërkombëtare”, i cili nga 2022-2025 solli mbi 1,800 aktivitete dhe rreth 1,200 artistë të huaj nga mbi 30 shtete. Ndërkohë, përmes nismës “CulturAlb – Ditët Kulturore Shqiptare në Botë”, ministri tha se, aksi i prezantimit zhvendoset jashtë kufijve, duke mbështetur e promovuar artistë shqiptarë në skenat më të rëndësishme ndërkombëtare.