RIKUALIFIKIMI I PALLATIT TË KONGRESEVE/ Zbulohet projekti fitues. Do ketë kullë deri në 255 metra të lartë
Pallati i Kongreseve do të transformohet sipas projektit fitues të konkursit ndërkombëtar, i cili parashikon edhe ndërtimin e një kulle deri në 255 metra të lartë. Kryeministri Edi Rama tha se ndërhyrja synon ta kthejë këtë zonë në një qendër të re kulturore, turistike dhe ekonomike të Tiranës.
Kjo do të jetë pamja e re e Pallatit të Kongreseve sipas projektit fitues të konkursit ndërkombëtar për rikualifikimin e një prej ndërtesave simbolike të kryeqytetit.
Projekti triumfoi përballë katër rivalëve të tjerë me idenë e krijimit të një ndërtese me funksione të shumëfishta, ku përfshihet edhe një kullë shumëkatëshe me lartësi deri në 255 metra.
Kryeministri Edi Rama, i pranishëm në prezantimin e projekteve, argumentoi nevojën e transformimit të Pallatit të Kongreseve dhe efektet e shumëanshme që, sipas tij, do të sjellë ky investim.
Kreu i qeverisë foli edhe për ndikimin ekonomik që do të ketë procesi i vënies në dispozicion të pronave shtetërore të degraduara për projekte zhvillimi.
Synimi është që, përmes riorganizimit dhe rigjallërimit të ndërtesës dhe zonës përreth, Pallati i Kongreseve të shndërrohet në një destinacion të ri të Tiranës turistike, kulturore dhe sociale, duke forcuar rolin e tij si një qendër e rëndësishme e jetës publike dhe aktiviteteve të përditshme të kryeqytetit.

